
Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer rreth mesditës së kësaj të hëne në fshatin Llakatund, në Vlorë, duke përfshirë një sipërfaqe me bimësi dhe shkurre.
Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rritur rrezikun për zgjerimin e vatrës në zona të tjera përreth.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë dërguar dy mjete të shërbimit zjarrfikës, ekipet e të cilave po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, me synim parandalimin e përhapjes së tij drejt zonave të banuara apo sipërfaqeve më të mëdha.
Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe operacionin për vendosjen e flakëve nën kontroll.