
Eurodeputetë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën e zhvilluar në Tiranë, duke deklaruar se kërkesat e qytetarëve shqiptarë lidhen me vlerat themelore të Bashkimit Europian, si demokracia, transparenca, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e mjedisit.
Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg deklaroi se protestuesit po mbrojnë vlera europiane dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë zërin e qytetarëve.
“Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Ka shumë njerëz nga shumë sfonde, duam që Shqipëria të shkojë në BE, por nëse doni të shkoni, Edi Rama duhet të dëgjojë”, u shpreh Strolenberg.
Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve janë të qarta: “Mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën.”
Mbështetje për protestën shprehu edhe bashkëkryetarja e Të Gjelbërve Europianë, Vula Tsetsi, e cila tha se qëndresa e qytetarëve shqiptarë tashmë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe ajo që po ndodh njihet jo vetëm në BE, por edhe më gjerë. Shqipëria nuk është në shitje. Ju po mbroni të drejtat, dinjitetin dhe shtetin tuaj”, deklaroi ajo.
Sipas Tsetsit, rruga europiane e Shqipërisë kërkon respektimin e zërit të qytetarëve.
“Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë”, u shpreh ajo.
Në protestë foli edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila deklaroi se pasuritë natyrore të Shqipërisë duhet të mbrohen dhe jo të shfrytëzohen për interesa private.
“Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje. Do ta përcjellim zërin tuaj në Bruksel”, tha Paulus.
Ajo shtoi se, sipas saj, nëse Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, qeveria duhet të ndryshojë ligjet që, sipas saj, favorizojnë interesat e një grupi të ngushtë.
Në fund të fjalës së saj, Paulus deklaroi se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama, ku, sipas saj, i kërkohej të mos mbështeste një amendament në Parlamentin Europian.
“Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament, sepse ligji europian nuk është në shitje. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre”, u shpreh eurodeputetja.
Ndërkohë, eurodeputetja holandeze Tineke Strik garantoi se kërkesat e protestuesve do të dëgjohen edhe në institucionet europiane.
“Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do të shprehet edhe në Bruksel. Do të luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci”, deklaroi Strik.
Ajo shtoi se protestat tregojnë se qytetarët shqiptarë nuk pranojnë cenimin e lirive themelore dhe se qeverisja duhet të dëgjojë qytetarët, e jo interesat e njerëzve të pasur.