Faza e grupeve në Botërorin 2026 dhuroi emocione edhe në ndeshjet e së shtunës, ku u përcaktuan skuadrat e fundit që siguruan biletën për fazën me eliminim direkt. Kroacia, Anglia, Argjentina dhe Republika Demokratike e Kongos festuan kualifikimin, ndërsa Uruguai u eliminua surprizë nga turneu.
Në Grupin H, Spanja mposhti 1-0 Uruguain dhe e mbylli grupin në vendin e parë, ndërsa eliminimi i amerikanolatinëve ishte një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori. Në të njëjtin grup, barazimi pa gola mes Kepit të Gjelbër dhe Arabisë Saudite i mjaftoi afrikanëve për të shkruar histori dhe për t’u kualifikuar për herë të parë në fazën me eliminim direkt.
Në Grupin G, Belgjika fitoi bindshëm 5-1 ndaj Zelandës së Re dhe u rendit e para, ndërsa Egjipti barazoi 1-1 me Iranin, rezultat që i siguroi për herë të parë në histori kalimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Në Grupin L, Anglia mposhti Panamanë 2-0 dhe siguroi vendin e parë, ndërsa Kroacia triumfoi 2-1 ndaj Ganës, duke kaluar si e dyta e grupit.
Një tjetër histori e bukur erdhi nga Grupi K, ku Republika Demokratike e Kongos përmbysi Uzbekistanin me rezultatin 3-1 dhe siguroi për herë të parë kualifikimin në fazën me eliminim direkt të një Kampionati Botëror.
Në mbrëmje, Argjentina mposhti Jordaninë 3-1 dhe siguroi vendin e parë në grup, ndërsa Austria dhe Algjeria barazuan 3-3, rezultat që i kualifikoi të dyja skuadrat në fazën tjetër të turneut.
