
Grupi i Bankës Botërore ka njoftuar hapjen e një zyre të re në Madrid, një hap strategjik që synon forcimin e bashkëpunimit me Spanjën dhe lehtësimin e mobilizimit të kapitalit privat për projekte zhvillimi në Amerikën Latine, Afrikë dhe tregje të tjera në zhvillim, përcjell Euronews.
Zyra e re do të unifikojë për herë të parë në Spanjë institucionet e ndryshme të Grupit të Bankës Botërore, duke shërbyer si pikë kontakti për qeverinë, bizneset, investitorët, universitetet dhe organizatat e shoqërisë civile.
Qëllimi kryesor është t’u ofrohet kompanive spanjolle akses më i lehtë në financime, garanci dhe mekanizma që ulin rrezikun e investimeve në vendet në zhvillim, duke forcuar praninë e tyre në sektorë si shërbimet financiare, menaxhimi i ujit, turizmi i qëndrueshëm dhe infrastruktura rezistente.
Drejtori menaxhues i IFC-së, Makhtar Diop, theksoi se kjo zyrë do të ndihmojë në rritjen e investimeve private dhe krijimin e vendeve të punës në tregjet emergjente, ndërsa vlerësoi rolin e Spanjës si partner kyç në këtë proces.
Nga ana e tij, ministri spanjoll i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, deklaroi se hapja e zyrës forcon rolin e Madridit si qendër e institucioneve multilaterale dhe rrit mundësitë për bizneset spanjolle në tregjet ndërkombëtare.
Spanja prej dekadash është një nga partnerët kryesorë evropianë të Bankës Botërore dhe aktualisht ka një portofol prej rreth 5 miliardë dollarësh investime të menaxhuara përmes IFC-së dhe MIGA-s në tregjet në zhvillim. Zyra e re pritet të zgjerojë më tej këtë bashkëpunim, veçanërisht në Amerikën Latine dhe Afrikë.