Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi/ Opozita bllokon foltoren për orë të tëra, përplasje të forta mes Berishës dhe Ballës për protestat dhe rezolutën e PE


Protestat që prej 19 ditësh zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë u zhvendosën këtë të mërkurë edhe në sallën e Kuvendit, ku opozita bllokoi foltoren për gati katër orë, duke kërkuar që seanca t’i kushtohej situatës së krijuar nga protestat dhe debatit për zonat e mbrojtura.

Deputetët e Partisë Demokratike mbajtën pankarta të ngjashme me ato të përdorura në protestat qytetare, ndërsa kërkuan ndryshimin e rendit të ditës dhe diskutimin e rezolutës së Parlamentit Europian, e cila bën thirrje për rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Seanca u shoqërua me tensione të vazhdueshme, ndërprerje të njëpasnjëshme dhe debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi lëvizjen qytetare si protestën më të madhe të viteve të fundit dhe kërkoi që Kuvendi të reflektojë mbi kërkesat e protestuesve.

“Vendosni në axhendë ligjet që kërkojnë protestuesit dhe që kanë mbështetjen e Parlamentit Europian. Kjo është protesta më madhështore që ka njohur vendi”, deklaroi Berisha.

Nga ana tjetër, ministri Taulant Balla sfidoi kreun e PD-së duke thënë se ai është humbësi më i madh politik i protestave, pasi sipas tij një pjesë e protestuesve kërkojnë edhe largimin e vetë Berishës nga skena politike.

“I fundit që mund të flasë në emër të protestuesve je ti. Shko sot në protestë dhe dëgjo çfarë thonë për ty. Një nga kërkesat e protestuesve është ‘Berisha në burg’ dhe unë kam kontribuar me kallëzimin tim”, deklaroi Balla.

Debati u përqendrua edhe te rezoluta e Parlamentit Europian për zonat e mbrojtura. Berisha e interpretoi dokumentin si mbështetje të qartë për kërkesat e protestuesve, ndërsa Balla kundërshtoi duke theksuar se amendamentet e propozuara nga grupimet e djathta europiane nuk morën mbështetjen e nevojshme.

Ndërkohë, deputetët demokratë vijuan të mbajnë të bllokuar foltoren, duke akuzuar drejtimin e Kuvendit për censurë ndaj opozitës.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu disa herë seancën në përpjekje për të rikthyer normalitetin, ndërsa pati përplasje verbale të forta me deputetët e opozitës, veçanërisht me Flamur Nokën.

Mes kaosit në sallë, mazhoranca vendosi të vijojë procedurat parlamentare dhe kaloi projektligjet e planifikuara direkt në votim, ndërsa opozita e konsideroi këtë një shmangie të debatit për çështjet që sipas saj po shqetësojnë qytetarët.

Një tjetër çështje që ngjalli diskutime ishte mungesa në sallë e deputetes Marjana Koçeku, e larguar së fundmi nga grupi parlamentar socialist.

Opozita kërkoi informacion mbi sigurinë e saj pas pretendimeve për kërcënime, ndërsa mazhoranca tha se çështja po ndiqet nga institucionet kompetente.

Pavarësisht tensioneve, seanca përfundoi me miratimin e akteve të planifikuara nga shumica parlamentare, ndërsa përplasja politike për protestat dhe zonat e mbrojtura pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.