Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Kuvendi të mos bëhet mburojë, por të lejojë arrestimin e Ballukut


Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në hetimin e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar që Kuvendi të mos pengojë më veprimet e drejtësisë nëse Prokuroria e Posaçme paraqet një kërkesë për arrestimin e saj.

Në një deklaratë për mediat, Shehaj e cilësoi rëndimin e akuzave ndaj Ballukut si një goditje të re për mazhorancën qeverisëse, duke iu referuar akuzave për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

“Nga protesta e qytetarëve ka dalë një tjetër goditje për mazhorancën. Dy akuza të reja për Ballukun, e cila i shpëtoi arrestimit falë mbrojtjes në Parlament. Ka dy akuza shumë të rënda, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale. E vërteta është se kjo është akuzë shumë e rëndë për zv.kryeministren që Rama mbrojti në Parlament,” deklaroi Shehaj.

Kreu i Partisë “Mundësia” akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur shumicën parlamentare për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij politikë nga përballja me drejtësinë.

Sipas Shehajt, zhvillimet e fundit në hetim ngrenë pikëpyetje mbi qëndrimin që do të mbajë kryeministri në vijim ndaj Ballukut.

“A do thotë Rama sërish se këto janë akuza të lehta apo do e dorëzojë?” pyeti ai.

Duke iu referuar mundësisë së një kërkese të ardhshme nga SPAK, Shehaj kërkoi që Kuvendi të mos kthehet në një institucion që pengon hetimet dhe procedurat ligjore.

“Sapo të vijë kërkesa në Parlament për arrestimin e Ballukut, Parlamenti duhet të lejojë arrestimin e saj,” u shpreh kreu i Partisë “Mundësia”.

Reagimi i Shehajt vjen pasi SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe ka vendosur nën sekuestro preventive një vilë në Dhërmi, ndërsa procedimi penal përfshin dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërkohë, nga ana e Ballukut nuk ka pasur ende një reagim publik lidhur me zhvillimet më të fundit të çështjes.