Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka lëshuar akuza dhe ironi të forta në adresë të kryedemokratit Sali Berisha gjatë seancës së sotme plenare në Parlament.
Debati është përqendruar rreth investimit strategjik në Zvërnec dhe protestave të fundit për pronat, ku Balla ka denoncuar publikisht atë që e quajti një “piruetë prapashpinë” dhe ndryshim radikal të qëndrimit të liderit të opozitës brenda 72 orëve.
Sipas Ballës, Berisha fillimisht deklaroi se protestat në Zvërnec po organizoheshin nën rrogoz nga vetë kryeministri Edi Rama për të dëbuar investitorët e huaj, por ndryshoi qëndrim sapo u përball me presionin direkt të qytetarëve.
“Fati i keq i juaji është që zotëria i ka përzënë të gjithë dhe s’mund të ftojë asnjë prej themeluesve. I ka ngelur vetëm Tritani i shkretë që e mban si relike. Çfarë piruete ishte kjo fjalë tani. E paimagjinueshme sesi mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar, brenda 72 orëve… Erdhi këtu dhe tha që mbështes protestën, ndërkohë që vet doli dhe tha se protestën e organizon Rama sepse do të përzërë investitorët. Tani ose jeni trembur, se ju erdhën protestuesit te dera e partisë,” – deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.
Kreu i grupit të mazhorancës dënoi ashpër faktin që protestuesit u dyndën përpara selive qendrore të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, duke paralajmëruar se grumbullimet e tilla pranë godinave politike janë të rrezikshme dhe mund të provokojnë përplasje fizike mes militantëve të palëve të ndryshme.
Balla sqaroi pozicionin e shtetit shqiptar në këtë konflikt, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një projekt legjitim ku investitorët nga Katari kanë blerë tokën për një vlerë prej 225 milionë dollarësh dhe se qeveria ka detyrim ligjor të jetë garante e investimeve strategjike.
Ai hodhi akuza të forta se pas këtyre tensioneve fshihen qarqe greke dhe shtete të tjera që synojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në kulm të sezonit turistik, duke shpërndarë foto të rreme nëpër rrjetet sociale ndërkombëtare.
Në mënyrë të prerë, Balla hodhi poshtë edhe pretendimet e fundit të mediave dhe zyrtarëve helenë që tentojnë ta përshkruajnë zonën si tokë të minoritetit grek.
“Nuk pranoj dot që të më thonë që Narta është tokë e një komuniteti pakice kombëtare. Narta është tokë shqiptare autoktone. Aty ka pasur një popullatë që fliste një dialekt të gjuhës greke, që quhej Nartçe”, – përfundoi Taulant Balla, duke i cilësuar të gjitha pretendimet e tjera si tërësisht të pabaza.
