Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nis vizitën në Kosovë


Presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut që po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Costa fillimisht është takuar me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Më pas, ai pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Vizita e presidentit të Këshillit Evropian vjen në një periudhë të rëndësishme për rajonin, teksa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë përpjekjet për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian, shkruan RTK.

Pas vizitës në Kosovë, Costa do të marrë pjesë më 5 qershor në Samiti BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat. Tema qendrore e samitit do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë takim do të marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit, të cilët do të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e integrimit evropian.

Vizita e Costës në Kosovë konsiderohet si një sinjal i rëndësishëm i angazhimit të shtuar të Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur stabiliteti dhe perspektiva evropiane e rajonit mbeten prioritete kyçe për Bashkimin Evropian.