Vendosni fjalën kyçe....

Strategjia industriale synon të kalojë vendin nga fasoni te përpunimi i lëndëve kritike


Qeveria synon të transformojë modelin industrial të vendit gjatë viteve të ardhshme, duke reduktuar varësinë nga fasoneria dhe duke orientuar investimet drejt sektorëve me vlerë më të lartë të shtuar, përfshirë përpunimin e lëndëve të para kritike dhe zhvillimin e industrive më të avancuara teknologjikisht.

Sipas draftit të Strategjisë Kombëtare Industriale 2026–2030, ekonomia shqiptare vijon të mbështetet në sektorë me produktivitet relativisht të ulët, ndërsa eksportet industriale dominohen nga aktivitetet fason.

Dokumenti vëren se “sektori i tekstileve dhe veshjeve zë rreth 30.73% të industrisë përpunuese, duke treguar varësi të lartë nga modeli fason (CMT), i cili gjeneron punësim por me produktivitet të kufizuar”.

Strategjia thekson se produktet me teknologji të mesme dhe të lartë përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të eksporteve industriale shqiptare, ndërsa mungojnë instrumente të integruara për kalimin nga modeli fason drejt zhvillimit të produkteve me markë, dizajn dhe teknologji më të avancuar.

“Mbështetja për eksportet mbetet e fragmentuar dhe e orientuar drejt promovimit, jo drejt transformimit të kapaciteteve prodhuese”, thuhet në dokument.

Qeveria propozon krijimin e programeve që do të mbështesin transformimin e modeleve të prodhimit drejt produkteve me vlerë të shtuar më të lartë, duke përfshirë dizajnin, përpunimin e avancuar dhe personalizimin e produkteve.

Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është integrimi i Shqipërisë në zinxhirët europianë të vlerës dhe forcimi i rolit të saj në sektorët që lidhen me lëndët e para kritike, të konsideruara prioritare për industrinë e Bashkimit Evropian.

Dokumenti parashikon zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese që mund të mbështesin kalimin nga eksporti i lëndëve të para drejt aktiviteteve me vlerë më të lartë të shtuar brenda vendit.

Strategjia synon gjithashtu rritjen e peshës së industrisë përpunuese në ekonomi. Sipas objektivave të përcaktuara, vlera e shtuar e industrisë përpunuese pritet të rritet nga 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2025 në të paktën 9% deri në vitin 2030.

Po ashtu, dokumenti synon përmirësimin e kompleksitetit ekonomik të eksporteve shqiptare dhe rritjen e investimeve në kërkim dhe zhvillim, me objektivin që shpenzimet për kërkim dhe zhvillim të arrijnë në 1% të PBB-së deri në fund të dekadës.

Strategjia është aktualisht në konsultim publik

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor