Një pjesë e minatorëve të minierës së kromit në Bulqizë, pjesë e Albchrome kanë vijuar edhe këtë të enjte bojkotin e punës, duke refuzuar të futen në galeritë nëntokësore.
Protesta, e nisur një ditë më parë, lidhet kryesisht me mënyrën se si është parashikuar pagesa e 13-të në kontratën kolektive të punës, por punonjësit kanë ngritur edhe shqetësime të tjera që lidhen me pagat, kushtet e punës dhe sigurinë në minierë.
Albchrome është kompania më e mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan.
Pas shitjes në vitin 2022 nga “Balfin Group”, kompania është administruar nga grupi turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”
Minatorët thonë se nuk janë dakord që paga e 13-të të trajtohet si “shpërblim vjetor”, pasi sipas tyre kjo krijon pasiguri për përfitimin e saj në të ardhmen.
Ata kërkojnë që ajo të përcaktohet qartë në kontratën kolektive si “pagë e 13-të”, e detyrueshme për t’u paguar nga punëdhënësi për çdo punonjës që plotëson kriteret.
“Në kontratën e vjetër ka qenë e cilësuar si pagë e 13-të dhe punëtorët e kanë përfituar prej vitesh. Ne kërkojmë vetëm që të rikthehet ashtu siç ka qenë dhe të mos quhet shpërblim, sepse shpërblimi mund të ndryshohet ose të hiqet në çdo moment”, shprehet një nga minatorët protestues, shkruan Shqiptarja.com.
Sipas tyre, shqetësimi fillestar ka lindur pasi në diskutimet për kontratën e re kolektive ishte parashikuar që pagesa të ndahej në
dy këste, ku një pjesë do të jepej në fund të vitit 2026 dhe pjesa tjetër në qershor të vitit 2027. Ky propozim është kundërshtuar nga punëtorët, të cilët kërkojnë pagesën e plotë dhe garancinë ligjore të saj.
Kompania: Paga e 13-të do të paguhet brenda 15 dhjetorit
Pas protestës së zhvilluar të mërkurën, kompania “Albchrome” publikoi një njoftim zyrtar ku bëri të ditur se, me propozimin e Këshillit Sindikal dhe në marrëveshje me Sindikatën e Punonjësve të Industrisë së Rëndë të Shqipërisë (SPIRSH), është dakordësuar ndryshimi i kontratës kolektive lidhur me mënyrën e pagesës së pagës së 13-të.
Sipas dokumentit të firmosur më 3 qershor 2026, paga e 13-të e parashikuar në nenin 26 të kontratës kolektive do të paguhet nga punëdhënësi brenda datës 15 dhjetor të vitit në të cilin lind e drejta e përfitimit.
Megjithatë, një pjesë e minatorëve deklarojnë se problemi nuk është vetëm afati i pagesës, por formulimi i saj në kontratë.
“Ne duam që të jetë e shkruar qartë pagë e 13-të dhe jo shpërblim vjetor. Nëse mbetet shpërblim, nesër mund të mos jepet fare ose të ndryshohet sipas dëshirës së kompanisë. Kur është pagë e 13-të, është një e drejtë e fituar dhe e garantuar”, tha një prej protestuesve.
Kërkesa për rritje page dhe ankesa për kushtet e punës dhe sigurinë
Gjatë protestës, minatorët ngritën edhe kërkesa të tjera ekonomike. Ata kërkojnë një rritje të pagave me të paktën 20 për qind, duke argumentuar se niveli aktual i pagave nuk përputhet me vështirësinë dhe rrezikshmërinë e punës që kryejnë çdo ditë në nëntokë.
“Punojmë në nivelin 20 të minierës, në kushte të vështira dhe me rrezik të lartë. Përgjegjësia është e madhe, ndërsa paga është shumë e ulët. Kërkojmë një trajtim më dinjitoz për punën që bëjmë”, u shpreh një tjetër minator.
Punonjësit kërkojnë gjithashtu respektimin e orarit të përcaktuar në kontratë, duke kundërshtuar punën e detyrueshme të shtunave, për të cilën pretendojnë se nuk është pjesë e marrëveshjes së tyre të punës.
Përveç çështjeve financiare, protestuesit kanë ngritur shqetësime serioze edhe për kushtet e punës në minierë.
Sipas tyre, pajisjet mbrojtëse nuk shpërndahen rregullisht dhe shpesh nuk janë të përshtatshme për punën që kryhet në galeri. Ata pretendojnë se veshjet e punës konsumohen brenda një periudhe të shkurtër, ndërsa zëvendësimi i tyre vonohet për muaj të tërë.
Minatorët kanë shprehur gjithashtu shqetësime për sigurinë teknike në galeritë nëntokësore, duke pretenduar se në disa sektorë ka prani të konsiderueshme të gazit hidrogjen dhe se nevojiten investime të mëtejshme për rritjen e standardeve të sigurisë.
“Punojmë në kushte shumë të vështira. Kërkojmë më shumë investime në minierë dhe masa konkrete për sigurinë e punonjësve”, thanë ata.
Kritika ndaj sindikatës
Gjatë protestës nuk munguan as kritikat ndaj strukturave sindikale. Disa prej minatorëve deklaruan se nuk ndihen të përfaqësuar nga sindikata dhe shprehën pakënaqësi për qëndrimin e saj ndaj bojkotit.
Sipas tyre, sindikata nuk ka mbështetur protestën dhe nuk ka qenë në krah të kërkesave të punëtorëve gjatë diskutimeve për kontratën kolektive.
Megjithatë, protestuesit thanë se mbeten të hapur për dialog dhe shpresojnë që situata të zgjidhet përmes negociatave me kompaninë.
“Ne nuk kërkojmë konflikt. Kërkojmë vetëm të drejtat tona. Besojmë se mund të gjendet një zgjidhje e shpejtë që të jetë në interes të punëtorëve dhe të kompanisë”, deklaroi një prej minatorëve.
Ndërkohë, deri në momentin e raportimit, një pjesë e punonjësve vijonin bojkotin e punës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse marrëveshja e fundit e shpallur nga kompania do të mjaftojë për t’i bindur minatorët të rikthehen në galeri apo nëse protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
