Vendosni fjalën kyçe....

Jo të gjithë kanë humbur nga lufta e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin


Argjentina, Brunei dhe Gaboni nuk janë tri vende që duket se kanë shumë të përbashkëta. Por ato bëjnë pjesë në një grup të vogël prodhuesish energjie që po dalin fitues të mëdhenj nga lufta kundër Iranit.

Vëmendja ndaj konfliktit me Iranin është përqendruar kryesisht te kostoja në rritje që po paguan bota përmes çmimeve më të larta të naftës bruto dhe gazit natyror, si rezultat i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Rritja e inflacionit, ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit dhe rreziku në rritje për mungesa të prodhimeve të rafinuara, plehrave kimike dhe materialeve për përpunimin e xeheve metalike nënkuptojnë se, në fund, çdo vend po paguan një çmim.

Por ka edhe vende ku çmimet më të larta për naftën bruto, produktet e rafinuara dhe gazin natyror të lëngshëm (LNG) po sjellin përfitime të mëdha, të cilat deri tani tejkalojnë kostot e inflacionit në rritje.

Brunei, një sulltanat në ishullin Borneo në Azinë Juglindore me një popullsi prej pak më pak se 500 mijë banorësh, është një shembull i mirë.

Ai ka rritur eksportet e naftës bruto, prodhimeve të rafinuara dhe LNG-së që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, për të përfituar nga çmimet e larta në Azi, rajoni më i prekur nga mbyllja e ngushticës.

Eksportet e naftës bruto të Bruneit arritën në 2.74 milionë fuçi në prill, niveli më i lartë në tre muaj dhe 51% më shumë krahasuar me 1.81 milionë fuçi në prill 2025, sipas të dhënave të përpiluara nga analistët e mallrave Kpler.

Kpler vlerëson se dërgesat e prodhimeve të rafinuara të Bruneit do arrijnë në 4.16 milionë fuçi në maj, niveli më i lartë që nga korriku i vitit të kaluar, me Australinë — importuesin më të madh në botë të naftës — si destinacionin kryesor.

Eksportet e LNG-së nga Brunei pritet të arrijnë në 330 mijë metër kub në maj, më pak se 370 mijë tonelatat e prillit, por dukshëm mbi 280 mijë tonelatat e majit 2025.

Brunei jo vetëm që ka rritur vëllimet e eksporteve, por po përfiton edhe nga çmime shumë më të larta, sidomos për prodhimet e rafinuara.

Çmimet e karburantit për avionë në Singapor u mbyllën në 139.18 dollarë për fuçi të martën, përpara festës publike të së mërkurës, dhe megjithëse kanë rënë nga rekordi prej 242.06 dollarësh më 30 mars, ato mbeten 49% më të larta se para luftës.

Çmimi në Singapor i gasoil-it, baza për prodhimin e diesel-it, u mbyll në 138.68 dollarë për fuçi të martën, 52% më i lartë që nga fillimi i konfliktit. Të dy prodhimet e distiluara tejkaluan rritjen prej 30% të kontratave të së ardhmes për naftën Brent, e cila u mbyll në 94.29 dollarë të mërkurën.

Ka edhe eksportues më të mëdhenj që po përfitojnë nga humbja e të paktën 10% të furnizimit global me naftë bruto dhe rreth një e pesta e LNG-së që janë bllokuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Megjithëse ngushtica kalon nëpër territorin e tij, eksportet e Omanit ndodhen jashtë kësaj rruge të ngushtë detare dhe kanë mbetur kryesisht të paprekura nga konflikti, shkruan Reuters.

Omani parashikohet të eksportojë 31.58 milionë fuçi naftë bruto në maj, niveli më i lartë që nga tetori, ndërsa eksportet e produkteve të rafinuara pritet të arrijnë në një rekord prej 17.39 milionë fuçish, sipas Kpler.

Eksportet e LNG-së nga Omani parashikohen në 1 milion ton në maj, pak më poshtë se 1.09 milion tonët e prillit, por mbi 830 mijë tonelatat e majit të vitit të kaluar.

Afrika dhe Amerika Latine

Edhe prodhuesit afrikanë të naftës po përfitojnë, sidomos sepse shumica e naftës së tyre ka densitet mesatar API – i ngjashëm me naftën që është humbur nga tregu për shkak të luftës.

Angola pritet të eksportojë 31.86 milionë fuçi naftë bruto në maj, nga 29.12 milionë në prill, por nën nivelin prej 37.56 milionë fuçish të majit, që ishte më i larti në një vit.

Ky shtet i Afrikës Jugperëndimore pritet gjithashtu të eksportojë 420 mijë ton LNG në maj, duke ruajtur një nivel të qëndrueshëm eksportesh të këtij karburanti super të ftohur.

Eksportet e naftës bruto të Gabonit parashikohen të arrijnë në 7.28 milionë fuçi në maj, niveli më i lartë që nga shtatori, dhe përzierja e blerësve është zhvendosur ndjeshëm drejt Azisë që nga marsi.

Edhe eksportuesit e Amerikës Latine po përfitojnë, me eksportet e naftës bruto të Argjentinës që arritën një rekord prej 9.89 milionë fuçish në maj, më shumë se dyfishi i volumit të shkurtit.

Argjentina dërgoi vetëm 700 mijë fuçi naftë bruto në Azi në tremujorin e fundit të vitit 2025, por ka eksportuar 7.21 milionë fuçi gjatë tre muajve nga marsi deri në maj.

Vende të tjera në listën e fituesve përfshijnë Guajanën, Nigerinë, Algjerinë dhe Malajzinë.

Faktori i përbashkët është se ato jo vetëm eksportojnë naftë bruto, por eksportojnë edhe produkte të rafinuara ose janë të paktën të vetëmjaftueshme në karburante të rafinuara, ndërsa disa kanë edhe avantazhin shtesë të prodhimit të LNG-së.

Për më tepër, disa prej tyre kanë sektorë të mëdhenj bujqësorë vendas, gjë që do t’i ndihmojë të mbrohen nga inflacioni ushqimor i shkaktuar nga rritja e kostove të inputeve si plehrat kimike dhe diesel-i.