Vendosni fjalën kyçe....

“Financohen hormone për transgjinorët, shëndetësia falas mashtrim”, Meta akuza Ramës për shpërbërje kombëtare


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar me tone mjaft të ashpra ndaj urdhrit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili mundëson që për herë të parë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri (QSUT) të ofrohet terapia hormonale për personat transgjinorë.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Meta e ka konsideruar këtë vendim si një dëshmi të pastër se shëndeti i qytetarëve nuk ka qenë kurrë një prioritet real për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Ish-Presidenti bëri një paralelizëm me situatën e vështirë që kalojnë pacientët me sëmundje tumorale, duke akuzuar kabinetin qeveritar se po braktis të sëmurët për të financuar kauza ideologjike.

“Ndërsa mijëra qytetarë që luftojnë çdo ditë me kancerin si dhe shumë sëmundje të tjera përballen me mungesën e ilaçeve jetike, me pamundësinë për të përballuar trajtimin mjekësor dhe me braktisjen totale nga shteti, Qeveria zgjedh të financojë falas hormone për transgjinorët. Kjo ndodh sepse shëndeti i njerëzve nuk ka qenë kurrë prioritet i kësaj Qeverie, siç e provoi gjithë këto vite ku premtimi për ‘shëndetësi falas’, rezultoi mashtrimi më i madh,” – shkruan Meta.

Sipas kreut të PL-së, ndërsa buxheti i shtetit dhe taksat e qytetarëve duhet të shkonin për të mbështetur familjet, fëmijët dhe trajtimet bazike mjekësore që sot shqiptarët detyrohen t’i paguajnë vetë me miliona euro, ato po përdoren për të imponuar axhenda që bien ndesh me identitetin shoqëror të vendit.

Meta e lidhi këtë strategji edhe me krizën demografike që po kalon Shqipëria.

“Në vend që fondet publike të shkojnë për të sëmurët… ato përdoren për të imponuar agjenda ideologjike, që bien ndesh dhe godasin egërsisht vlerat tradicionale dhe familjen shqiptare si kryevlerë… Kjo agjendë, së bashku me shpopullimin, kanë qëllim të vetëm shpërbërjen kombëtare të Shqipërisë dhe kombit shqiptar,” – përfundoi Ilir Meta.

Reagimi i opozitës vjen në një kohë kur përfaqësues të institucioneve shëndetësore, si drejtoresha e ISHP-së Silva Tomini, kanë sqaruar se ky hap i ri konsiston në një “dokument orientues dhe protokoll mjekësor” që do të përfshijë vetëm konsultat me mjekët specialistë në QSUT, duke saktësuar se aktualisht nuk ka një skemë rimbursimi financiar për medikamentet e kësaj terapie, të cilat do të sigurohen nga vetë pacientët në rrjetin farmaceutik.