Vendosni fjalën kyçe....

Basha flet për pasionet e tij: Relaksohem kur bëj diçka të shpejtë për darkë, sulmet ndaj meje s’e mbulojnë dështimin e Ramës


Kreu i PD-së ka thënë sot se forca politike që drejton ka vullnet të plotë për t’i dhënë fund njëherë e mirë çështjes së legalizimeve të ndërtimeve para dhe pas vitit 1990.

Në një intervistë për gazetën ‘Panorama’, Basha theksoi se do bëjë çmos që ta përmbyllë këtë gjë brenda mandatit katër vjeçar.

“Ne kemi vullnet të plotë për të avancuar me zgjidhjen përfundimtare të legalizimeve para dhe pas ’90-ës. Ne do të trajtojmë me prioritet rast pas rasti për t’i legalizuar dhe për të zgjidhur konfliktet mes pronarëve dhe qytetarëve që jetojnë në këto prona. Ju e dini që është një proces kompleks, por që me vullnet dhe angazhim maksimal nga qeveria ime do ta përmbyll brenda mandatit të parë 4-vjeçar.” – tha Basha.

Ai foli edhe mbi qenien e tij aktive në rrjetet sociale. Basha tha se pandemia ka ndryshuar jetën e çdo personi teksa flet për pasionet e tij, që janë vërejtur ditët e fundit nga postimet e bashkëshortes së tij në Instagram.

“Është e vërtetë që pandemia na ka ndryshuar jetën të gjithëve. Tani që Aurela kalon më shumë kohë në shtëpi dhe gatuan vetë, i ndan këto çaste familjare në rrjet. Dhe kështu ka zbuluar këtë hobi timin në kuzhinë. Unë kam ikur që i ri jashtë me studime dhe nga jeta kam mësuar të gatuaj ndër vite, aq sa tani, kur gjej kohë, kur kthehem nga puna edhe vonë, jo vetëm që nuk lodhem, por relaksohem kur përgatis diçka të shpejtë për darkë.” – shtoi Basha.

Kryedemokrati tha se kryeministri Rama dhe mazhoranca kanë sulmuar familjen e tij pasi nuk kanë asnjë përgjigje për shkatërrimin që i kanë bërë vendit në tetë vitet e qeverisjes së tyre.

Basha theksoi gjithashtu se pavarësisht manovrave të kreut të qeverisë me miratimin e njënashëm të Kodit Zgjedhor apo ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, sërish nuk do shpëtojë nga humbja në zgjedhjet e 25 prillit.

“Rama ka frikë nga humbja dhe shpresoi më kot që ndryshimi i Kodit Zgjedhor do t’i lehtësojë pasojat për të. Por është e kotë: ndryshimin nuk e ndal dot askush. Shqipëria nuk do të mbetet peng i interesave të Ramës. Me aleatët e koalicionit tonë ne kemi një bashkëpunim të fortë dhe të shkëlqyeshëm dhe jemi të gjithë të vendosur për të larguar të keqen dhe për t’iu kthyer shpresën shqiptarëve. Rama e ka mbajtur Shqipërinë në vendnumëro me dështimet e tij në çdo fushë për 8 vite rresht. Por asnjë hile dhe asgjë nuk i bën më derman, sepse të gjithë e kanë kuptuar se tashmë Shqipëria nuk mund të ketë sukses me Ramën. Unë shoh entuziazëm mes njerëzve. Unë i takoj ata përditë. Ata duan ndryshim. Ata duan shpresë. Ata duan të shpëtojnë nga Rama dhe të kenë një qeveri që kujdeset për ta. Prandaj, ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Në 25 prill Rama do të humbasë dhe Shqipëria do të fitojë.” – theksoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *