Vendosni fjalën kyçe....

Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH: Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, festa e sakrificës


Kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit. Sipas tij mesazhi i kësaj feste mbetet një thirrje e fuqishme për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut.

Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit. Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale.

Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për shpresë”, theksoi ai.

Ai vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri si një pasuri të çmuar që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.

“Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në çdo vatër shqiptare dhe mirësi për të gjithë shoqërinë tonë. Gëzuar Kurban Bajramin!”, përfundon urimi i tij.

Falja e Kurban Bajramit do të zhvillohet ditën e mërkurë, (27 maj), në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Programi i plotë i faljes së Kurban Bajramit:

06:00 – Hapja e programit

06:05 – Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka

06:10 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu

06:20 – Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica

06:30 – Falja e namazit të Bajramit, prin Kryetari i KMSH-së

06:35 – Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja