Vendosni fjalën kyçe....

“A mund të ketë Vit të Ri pas kësaj?!” – Saimir Korreshi reagon për vdekjen e 48-vjeçares në Bashkinë e Lushnjës që i hoqën asistencën


Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka reaguar pas ndarjes nga jeta të 48-vjeçares Shpresa Cani në ambientet e bashkisë Lushnjë.

Në një postim në rrjetet sociale, Korreshi shprehet se nuk mund të ketë kartolinë më të shëmtuar se kaq në këtë fundvit. Ai shton se sado të zbukurohet qyteti për festa, ky është realiteti i hidhur këto festa.

“A mund të ketë më vit të ri pas kësaj??

A ka kartolinë më të shëmtuar se kjo??

Trishtim!

Sado ta zbukuroni qytetin ky është realiteti.

Shikoni nëpër dyqane artikulli që është shitur më shumë janë kofshat e pulës ato që kushtojnë 300 lekë kilogrami. Nuk kanë mundësi të blejnë gjel deti e ta festojnë tradicionalisht. Kjo është panorama e qeverisjes.

Mjerim!

Familje pafund në nevojë që janë drejtuar dëshpërimisht në dyert e bamirësve privat që edhe këtë jeni munduar me fotot tuaja ta shtetëzoni.

Dyer shtetërore të mbyllura!

Arroganc!

Ngushëllime familjes së të ndjerës.”- shkruan Korreshi.

48-vjeçarja Shpresa Cani pësoi atak kardiak paraditen e sotme në ambientet e bashkisë Lushnjë. Ajo thuhet se kishte shkuar atje për të kërkuar përgjigje se pse i ishte hequr ndihma ekonomike.

Zonja raportohet se ka debatuar  me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes se emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.

Më pas 48-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e bashkisë Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren.

Sapo ka kryer takimin ajo është ndjerë keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnje. Pas mbërritjes së ambulancës shtetasja Shpresa Cani kishte ndërruar jete në vend. Ndërkohë pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjës ka referuar materialet në prokurorin e rrethit për të hetuar shkaqet e vdekjes se 48-vjeçares.