Vendosni fjalën kyçe....

“Asnjë metër pa u dëmshpërblyer, qeveria të na sqarojë”, banorët e Fushë-Krujës paralajmërojnë protesta (VIDEO)


Prej pak kohësh kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar por ndërkohë banorët që preken nga ky projekt nuk dinë se çfarë do të ndodhë me pronat e tyre.

Që prej 4-5 ditësh punimet kanë vazhduar në fshatin Bilaj të Fushë-Krujës, ku banorët janë irrituar për shkak se asnjë përfaqësues i shtetit nuk i ka lajmëruar për këtë.

Të gjendur në udhëkryq, të pasigurt se çfarë do të ndodhë me ta, ditën e sotme banorët e fshatit Bilaj kanë organizuar një takim, për të gjetur një zgjidhje për problemin e tyre.

Edhe pse fillimisht punimet kanë nisur në një zonë ku ka toka të punuara, duke u prishur atyre të mbjellat, por pritet që në vazhdim të shemben edhe banesat e tyre.

Mirëpo asnjë përfaqësues i shtetit nuk i kishte lajmëruar për afatin se kur do nisnin punimet, në shkelje flagrante të të drejtave të këtyre banorëve, pronarë të tokave dhe ndërtesave që parashikohet të dëmtohen nga ky projekt.

Në këtë takim, banorët kanë rënë dakord të mos lejojnë vazhdimin e mëtejshëm të punimeve, pa mbërritur një përfaqësues i shtetit, për t’i sqaruar.

Ata kërkojnë gjithashtu të bëhet vlerësimi sipas ligjit i pronave të tyre dhe të bëhet dëmshpërblimi, si dhe t’u lihet një afat për t’u larguar nga banesat.

Në redaksinë e “Hashtag.al” kanë mbërritur disa pamje nga mbledhja e këtyre banorëve, të cilët janë irrituar që punimet kanë nisur, pa i lajmëruar ata sikurse e parashikon ligji.

“Njerëzit kanë mbjellë tokat, pasi nuk janë lajmëruar zyrtarisht se kur do nisnin punimet në zonën e tyre, duke i çuar dëm gjithë investimin. Nga ana tjetër shumë banorëve këtu do t’u shemben shtëpitë dhe ata as nuk e kanë idenë fare se sa kohë kanë për të lëvizur diku tjetër dhe janë të pasigurt për dëmshpërblimet. Lajmërimi është e para detyrë dhe më minimalja që shteti duhet të kishte bërë”, shkruan banori që ka dërguar videot.

“Qysh sot punimet të mbyllen në katundin e Bilajit, derisa të vijë komisioni, të mblidhen firmat, të bëhet shpronësimi sipas ligjit”, dëgjohet të thotë një nga banorët në mbledhje.

“Populli i Bilajit nuk është dakord të bëhet më asnjë metër, pa bërë dëmshpërblimet”, vazhdon i njëjti banor, ndërkohë që të tjerë pyesin se sa mund të jetë ky dëmshpërblim.

Të gjendur në këtë situatë, të painformuar nga ana e institucioneve që e kanë për detyrë, këta banorë paralajmërojnë nisjen e protestave.

Autostrada Thumanë-Kashar do të kalojë në 14 fshatra në Bashkinë e Tiranës, Vorës dhe Krujës.

Projekti për ndërtimin e autostradës “Tiranë-Kashar”, parashikon që të fillojë nga Thumana, 150 m në brendësi të autostradës ekzistuese, me katër korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë – Krujës.

Gjurma e rrugës vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë – Durrës).