Vendosni fjalën kyçe....

Mbajtja e shamive në shkolla e institucione/ Erdogan sfidon opozitën: Mbajmë një referendum nëse keni guxim


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka propozuar që të mbahet një referendum mbi mbajtjen e shamive nga gratë, në institucione apo shkolla.

Ky propozim i Erdoganit vjen si një përgjigje ndaj rivalit të tij Kemal Kiliçdaroglu, kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP) të opozitës.

Siç raporton Daily Sabah, presidenti këtë propozim e bëri ndërsa fliste në një ceremoni në provincën Malatya.

“Ne mund të bëjmë këtë … Nëse guxoni, le të bëjmë një referendum.”– tha ai.

Por Kiliçdaroglu, nuk mori shumë kohë për të refuzuar propozimin e Erdoganit.

Kreu i CHP-së kishte propozuar një ligj për të garantuar të drejtën për të mbajtur shami në institucione, për të lehtësuar çdo frikë se partia e tij do të rivendoste ndalimin nëse vjen në pushtet.

“Përkrahni projektligjin tonë. Për cilin referendum e keni fjalën? Po tani, po përpiqesh të sillesh si një (Victor) Orban i rremë? Nëse nuk ia mbathni, ne mund ta zgjidhim këtë çështje.”– tha kryetari i CHP-së në Twitter.

Kılıçdaroglu ringjalli papritur çështjen e shamive në fillim të këtij muaji duke njoftuar një projektligj të ri.

Gratë turke me shami kanë luftuar për një kohë të gjatë sipas ligjeve që i pengonin ato të mbanin shami në shkolla si studente dhe në institucionet publike si profesioniste, pavarësisht nga përhapja e grave me shami në vend. CHP kishte nxitur ndjenjën kundër shamisë në popull dhe kishte mbështetur ligjet që e ndalonin atë. Çështja e ndalimit të shamisë zuri një vend të rëndësishëm në debatet publike dhe politike në Turqi gjatë viteve 1990 dhe 2000.

Ndalimi i shamisë në Turqi u zbatua për herë të parë në vitet 1980, por u bë më i rreptë pas vitit 1997 kur ushtria detyroi qeverinë konservatore të jepte dorëheqjen në një incident të quajtur më vonë “grusht shteti postmodern” i 28 shkurtit. Parlamenti i Turqisë hoqi një ndalim për studentet femra që të mbanin shaminë në universitet në vitin 2008, në një veprim të mbrojtur nga Erdogan dhe të cilin ligjvënësit e CHP, përfshirë Kiliçdaroglu, kishin kërkuar pa sukses ta bllokonin në gjykatën kushtetuese. Në vitin 2013, Turqia e hoqi ndalimin për gratë që mbanin shami në institucionet shtetërore sipas reformave që qeveria tha se ishin krijuar për të forcuar demokracinë.