Vendosni fjalën kyçe....

OBSH miraton vaksinën e Oksfordit për përdorim urgjent


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këtë të hënë dha dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

“Tani i kemi të gjitha pjesët e vendosura për shpërndarjen e shpejtë të vaksinave. Por ne ende kemi nevojë për të rritur prodhimin.”- tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, në një konferencë për shtyp.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për zhvilluesit e vaksinave kundër COVID-19 të paraqesin dosjet e tyre në OBSH për rishikim në të njëjtën kohë kur ata t’ia paraqesin ato rregullatorëve në vendet me të ardhura të larta.”- shtoi ai, citon Reuters.

Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në muajin dhjetor.

Në një deklaratë të OBSH-së thuhej se ajo e kishte miratuar vaksinën siç ishte prodhuar nga AstraZeneca-SKBio (Republika e Koresë) dhe Instituti i Serumit i Indisë.

“Në gjysmën e parë të vitit 2021, shpresohet që më shumë se 300 milion doza të vaksinës të vihen në dispozicion në 145 vende përmes COVAX, në pritje të furnizimit dhe sfidave operacionale.“- tha kompania farmaceutike në një deklaratë të veçantë.

Vaksina e Astrazeneca i plotësoi kriteret “e domosdoshme” për sigurinë dhe përfitimet e saj të efikasitetit i tejkalojnë rreziqet e saj.

Vaksina e AstraZenecas është miratuar tashmë në mbi 50 vende të botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Indinë, Argjentinën dhe Meksikën.

Ajo është më e lirë dhe më lehtë për t’u ruajtur se vaksina Pfizer/BioNTech, e cila duhet të ruhet në temperatura në minus 70 gradë Celsius. Shumë vende në zhvillim nuk kanë frigoriferë të tillë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *