Vendosni fjalën kyçe....

Pacolli akuza për bllokim të stafit të inxhinierëve në VIA: Po shkelen të drejtat e njeriut


Konflikti i ashpër për administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) ka marrë përmasa edhe më alarmante.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, biznesmeni Behgjet Pacolli ka denoncuar se mbi 50 inxhinierë kinezë të kompanisë së tij, “MABCO”, po mbahen të izoluar në kushte krejtësisht të papranueshme brenda kampit të fjetjes në territorin e kantierit.

Sipas Pacollit, hyrja e aeroportit vazhdon të jetë e bllokuar nga rojet private të kompanisë “2A Group” të Valon Ademit, nën praninë e Policisë së Shtetit, duke mos lejuar asnjë punëtor shqiptar apo nënkontraktor të futet në vendin e punës.

Ai shton se stafit ndërkombëtar u është vënë kusht që po dolën nga kantieri, nuk do të lejohen më të kthehen, gjë që ka paralizuar lëvizjen e tyre.

“Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre dhe janë vënë përballë një situate absurde: të largohen pa të drejtë kthimi,” – shkruan Pacolli.

Biznesmeni ka publikuar edhe pamje nga momenti kur përfaqësues të tij kanë tentuar të dërgojnë furnizime për inxhinierët, duke theksuar se situata ka kaluar çdo limit të një mosmarrëveshjeje të thjeshtë biznesi dhe është kthyer në një problem të pastër të të drejtave të njeriut.

“Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve,” – deklaron ai.

Në mbyllje të reagimit të tij, Pacolli u ka bërë thirrje urgjente institucioneve shtetërore shqiptare që të ndërhyjnë për të zhbllokuar situatën, duke paralajmëruar se trajtimi i specialistëve të huaj si “të burgosur” po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj.