Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja për aeroportin e Vlorës/ Qeveria paralajmëron masa ndaj Pacollit e Ademit, Karakaçi: Do të ketë penalitete


Qeveria shqiptare ka thyer heshtjen lidhur me konfliktin e ashpër në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), duke paralajmëruar masa të rrepta dhe penalitete financiare për të dyja kompanitë e përfshira: “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi zyrtarisht se shteti do të zbatojë me rigorozitet klauzolat kontraktuale, pasi sherri mes dy ortakëve po përkthehet në kosto për qytetarët dhe po zvarrit vënien në punë të objektit.

Sipas ministrit Karakaçi, sipas afateve të përcaktuara në kontratën koncesionare, aeroporti duhej të ishte plotësisht funksional në këtë periudhë, gjë që nuk ka ndodhur.

“Nuk ka ndodhur as përfundimi total i infrastrukturës civile dhe nuk ka ndodhur as operacionaliteti. Në bazë të kontratës, këto duhet të kishin ndodhur në momentin që jemi duke folur dhe unë prandaj referova që patjetër penaliteti do t’i vendoset subjekteve, le të themi, tregtare,” – u shpreh ministri për mediat.

Karakaçi sqaroi se kur flitet për një aeroport operacional, procesi nuk përfshin vetëm ndërtimet fizike në terren, por edhe marrjen e të gjitha certifikatave ndërkombëtare të sigurisë për fluturimet ajrore.

Ai e cilësoi përplasjen treditore në dyert e kantierit si një ngjarje tejet të papëlqyeshme që dëmton rëndë imazhin e këtij projekti madhor strategjik, i cili ka rëndësi jetike për zhvillimin e turizmit në jug të vendit.

Ministri preku edhe faktin se ky konflikt ka degraduar tashmë nga një përplasje e thjeshtë civile për ndarjen e aksioneve, në procese të hapura penale në prokurori.

“Dua të theksoj dhe faktin që mosmarrëveshja është një mosmarrëveshje private ndërmjet dy shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë në garën e Aeroportit të Vlorës. Dhe kjo mosmarrëveshje, e cila ka shkuar tani që nga mosmarrëveshjet civile në gjykatat civile deri në mosmarrëveshje penale, po bëhet shkak për vonesat e mëtejshme të operacionalitetit të Aeroportit të Vlorës, por jo vetëm, por po bëhet shkak edhe për prishjen e reputacionit të Aeroportit të Vlorës,” – nënvizoi Karakaçi.

Në mbyllje, kreu i dikasterit të Infrastrukturës garantoi se shteti nuk do të mbetet peng i përplasjeve mes dy biznesmenëve dhe se do të përdorë të gjithë instrumentet ligjorë që i jep kontrata për të garantuar që projekti të përfundojë dhe aeroporti të hapet për fluturimet, pavarësisht ecurisë së gjyqeve mes palëve.