Vendosni fjalën kyçe....

53-vjetori i revoltës së Spaçit/ Ambasadori i BE-së, Gonzato: Shqipëria ta thotë të vërtetën dhe të dëmshpërblejë viktimat


Në 53-vjetorin e revoltës antikomuniste të Spaçit, Bashkimi Evropian i ka drejtuar një thirrje të prerë dhe të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare për të zbardhur krimet e diktaturës, për të gjetur eshtrat e të zhdukurve dhe për të mbështetur financiarisht të mbijetuarit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, zgjodhi një sfond simbolik, atë pas telave me gjemba të ish-burgut famëkeq, për të përcjellë tri mesazhe kyçe që lidhen me kujtesën, drejtësinë dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.

“Gjëja e parë që duhet bërë është të sigurohet një vend për të përkujtuar dhe për të mos harruar! Për të kujtuar jetët e humbura dhe heroizmin e atyre që mbijetuan. Sepse kujtesa, ruajtja e kujtesës, është një vlerë themelore njerëzore,” – u shpreh ambasadori Gonzato.

Ai shtoi se të mbijetuarit dhe familjarët e tyre meritojnë të vërtetën e plotë, duke nënvizuar se mbështetja ekonomike mbetet një detyrim moral për shtetin.

“Këta njerëz meritojnë drejtësi dhe meritojnë të vërtetën. Megjithëse nuk mund të ketë asnjë kompensim që ta shlyejë atë që iu shkaktua njerëzve këtu në Spaç, kompensimi nuk është thjesht pak para, por është njohje e vuajtjes që iu shkaktua këtyre njerëzve,” – deklaroi kryediplomati i BE-së.

Në aktivitetin përkujtimor morën pjesë edhe vetë ish-të dënuar politikë, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre për faktin se edhe pas 35 viteve nga rënia e regjimit, plagët e tyre mbeten të hapura.

Ish-i dënuari Ethem Fejzullahu e cilësoi si një “krim shtetëror” mosgjetjen e eshtrave të të zhdukurve, ndërsa Xhavit Lohja bëri thirrje që autoritetet të akordojnë pensione suplementare për ata pak të mbijetuar që janë ende gjallë.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, kërkoi që ish-burgu i Spaçit të kthehet në një vend pelegrinazhi dhe muzeu kombëtar, duke insistuar që kjo periudhë e errët të përfshihet gjerësisht në tekstet shkollore.

“Fatkeqësisht, në librat e shkollës nuk kemi pothuajse asgjë të shkruar për të. E shkuara nuk duhet harruar, sepse përndryshe mund të përsëritet,” – tha Mëlyshi.

Përfaqësuesit e institucioneve të pranishme premtuan më shumë angazhim në këtë drejtim.

Zëvendësiministrja e Kulturës, Lira Pipa, njoftoi ngritjen e një bordi të posaçëm për menaxhimin e kësaj hapësire, ndërsa drejtuesja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, bëri të ditur se është nxjerrë një koleksion i plotë i dokumenteve dhe janë mbledhur deri tani 70 dëshmi të gjalla të të burgosurve politikë.

Revolta e Spaçit nisi më 21 maj 1973, kur të burgosurit politikë u ngritën në një protestë të guximshme treditore kundër dhunës dhe torturave të regjimit, duke ngritur flamurin pa yllin komunist dhe duke thirrur “E duam Shqipërinë në Europën e lirë”.

Lëvizja u shtyp egërsisht me forcë nga diktatura, e cila ekzekutoi si hakmarrje katër nga djemtë organizatorë: Pal Zefi, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Hajri Pashaj.