Vendosni fjalën kyçe....

Hita: Lufta kundër krimit global kërkon aleanca të forta dhe koordinim ndërkombëtar


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, priti në ambientet e DPPSh-së një delegacion të Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), të kryesuar nga drejtori për Ndihmën Policore, Gregor Erb, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zgjerimin e mbështetjes që BKA-ja gjermane ofron për Policinë Kriminale dhe Institutin e Policisë Shkencore, si dhe harmonizimin e projekteve të përbashkëta me programet e Bashkimit Europian në rajon.

Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet gjermane dhe theksoi rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit global.

“Lufta kundër krimit global kërkon aleanca të forta dhe koordinim të qëndrueshëm ndërkombëtar”, u shpreh Hita, duke shtuar se takimi do të ndihmojë në identifikimin e prioriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Policisë së Shtetit për të thelluar më tej bashkëpunimin me BKA-në, Policinë gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë në funksion të goditjes së krimeve globale.

Nga ana tjetër, Gregor Erb falënderoi drejtuesit e Policisë së Shtetit për mikpritjen dhe garantoi vijimin e mbështetjes nga autoritetet gjermane përmes projekteve të përbashkëta, trajnimeve dhe pajisjeve moderne për strukturat e Policisë Kriminale dhe Institutin e Policisë Shkencore.