
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas pretendimeve se rreth 40 studentë shqiptarë nga Tirana janë ndaluar për më shumë se tetë orë nga autoritetet e Maqedonia e Veriut, teksa udhëtonin drejt Shkupit për t’iu bashkuar protestës në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi dënoi ashpër trajtimin ndaj të rinjve shqiptarë, duke e cilësuar atë “çnjerëzor” dhe “pengmarrje shtetërore”.
“Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica 18-20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, të rinjtë janë mbajtur për afro nëntë orë në pikat kufitare, pa akuza dhe pa shpjegime, ndërsa pretendon se ata janë transportuar nga kufiri me Shqipërinë drejt Kumanovës dhe më pas pranë kufirit me Serbinë.
Bardhi kritikoi edhe mungesën e reagimit nga institucionet shqiptare, duke akuzuar qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme për heshtje ndaj situatës.
“Asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare. Asnjë reagim nga Ministria e Jashtme. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë të poshtëruar dhe të keqtrajtuar në kufi”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Bardhi shton se mbështetja për protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar nuk mund të trajtohet si veprim kriminal, ndërsa kërkon reagim institucional ndaj asaj që ai e konsideron shkelje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë.