
Duke nisur nga mëngjesi i së hënës, 11 maj, një zhvillim pozitiv vjen për banorët e jugut të Shqipërisë, emigrantët dhe turistët që përdorin pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës për të udhëtuar drejt Greqisë dhe anasjelltas.
Dogana greke e Mavromatit në PKK Qafë Botë ka njoftuar zyrtarisht zgjatjen e orarit të shërbimit për kalimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Sipas njoftimit, pika kufitare do të funksionojë nga ora 05:00 deri në 23:00 me orën shqiptare, ose nga ora 06:00 deri në 24:00 me orën greke.
Ky ndryshim pritet të sjellë lehtësim të ndjeshëm për flukset e lëvizjes së përditshme, si dhe për turistët, veçanërisht gjatë sezonit veror dhe periudhave festive, kur numri i kalimeve rritet ndjeshëm.
Njëherësh, zgjatja e orarit pritet të ndikojë edhe në uljen e radhëve dhe përmirësimin e qarkullimit në momentet e pikut në këtë pikë të rëndësishme kufitare.