Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj në Kuvend: Rezoluta për Europën është tallje, mungon emri i Belinda Ballukut


Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj mazhorancës gjatë diskutimeve në Kuvend për projekt-rezolutën e integrimit europian.

Sipas Shehajt, ky dokument është një “tallje” dhe një “fasadë” që tenton të fshehë realitetin e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes.

Pika qendrore e denoncimit të tij ishte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Shehaj theksoi se është e paimagjinueshme për një vend që aspiron BE-në, që një zyrtare e tillë të vazhdojë detyrën dhe të mbrohet politikisht, ndërkohë që SPAK-u ka ngritur akuza ndaj saj.

“Në këtë projekt-rezolutë mungon një emër: Belinda Balluku. Ajo është problemi kryesor pse ne nuk jemi në Bashkimin Europian. E imagjinoni dot një vend të BE-së ku zëvendëskryeministrja akuzohet dhe nuk jep dorëheqjen? Kjo është tallje, sepse në fakt ju doni të mbroni të korruptuarit.”

Përveç përgjegjësisë penale, Shehaj vuri theksin te dëmi ekonomik, duke u bërë thirrje ministrave (duke iu drejtuar specifikisht Taulant Ballës) që t’u kthejnë qytetarëve paratë e vjedhura përmes aferave korruptive.

“Qytetarët nuk duan thjesht juve para drejtësisë. Duan paratë! Paratë e inceneratorit kur do t’i ktheni? Paratë e tunelit të Llogarasë, e aeroportit të Vlorës? Duhet t’ia ktheni paratë qytetarëve se një ditë do të jepni llogari.”

Sipas Shehajt, votimi i rezolutave formale nuk ka asnjë vlerë për sa kohë qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë për të pastruar administratën nga individët e akuzuar për abuzime me fondet publike.