Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Suli, ish-kampioni që sot rekruton ushtarë: S’kërkojmë qiqra në hell, thjesht të jetojmë me dinjitet


Ish-nënkampioni i Evropës në peshëngritje Ilir Suli ka deklaruar se gjithçka kërkon ai dhe sportistët e tjerë që i kanë dhënë vendit është jeta me dinjitet në vendin të cilit i kanë dhënë aq shumë.

Pasi la karrierën në peshengritje në moshën 37-vjeçare ai ka kaluar shumë peripeci për disa vite ndërsa që prej shkurtit të vitit 2021 punon në Ministrinë e Mbrojtjes si specialist për rekrutimin e ushtatëre të rinj, shkruan Euronews Albania.

“U bëra ca kohë që jam shkëputur. Thjesht jam mbyllur pak në atë kafazin tim si i thonë.”, thotë ish-kampioni.

Që pas mbylljes së karrierës si sportist deri në nisjen e punës në ministri, kaluan 10 vjet.

“Thjesht merrja frymë, çfarë mund të bëjë njeriu. S’u mora me asgjë. Ç’është e vërteta për sportin kanë bërë, kanë bërë fusha të mira, stadiume të mira. Çunat besoj janë të kënaqur. Nuk kërkojmë qiqra në hell. Unë nuk bëj mbrapa por megjithatë shoh dritë në fund të tunelit. Kërkojmë thjesht të jetojmë me dinjitet në vendin që kemi dhënë, kaq asgjë më shumë.” – thotë Suli.

Ai tregon më tej se sa ka përfituar gjithsesj gjatë karrierës së tij duke folur jo pa kritika mbi shpërblimin e sportistëve.

“Unë kam marrë me të gjitha medaljet nga shteti dhe sponsorat rreth 70 milionë. Të jepnin medaljen dhe asgjë tjetër. Kur merr pjesë në një garë nderon flamurin. Shtetit pastaj duhet të shpërblejë.” – thotë ish-peshëngritësi.

Aktualisht në Ministrinë e Mbrojtjes punojnë kampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega, peshëngritësi Briken Calja, xhudistët Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Indrit Cullhaj, si dhe atleti Ilir Këllezi.