Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari në OKB: Shqipëria forcon rolin si partner serioz në menaxhimin e migracionit


Besfort Lamallari deklaroi nga foltorja e Organizata e Kombeve të Bashkuara se Shqipëria po konsolidohet si një partner i besueshëm në menaxhimin modern të migracionit, duke theksuar progresin e bërë në politika, bashkëpunim ndërkombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Ndërkombëtar për Migracionin, ministri nënvizoi se Shqipëria tashmë ka një rol të trefishtë – vend origjine, tranziti dhe gjithnjë e më shumë destinacion për migrantët.

“Shqipëria është një vend origjine, tranziti dhe, gjithnjë e më shumë, edhe destinacion për migrantët. Migracioni vazhdon të formësojë shoqërinë dhe ekonominë tonë, në përputhje me prioritetet kombëtare dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh Lamallari.

Ai rikonfirmoi angazhimin për një migracion të sigurt, të rregullt dhe të ligjshëm, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Shqipëria mbetet ngultazi e përkushtuar në forcimin e mëtejshëm të menaxhimit të migracionit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përgjegjësitë e përbashkëta,” theksoi ministri.

Lamallari evidentoi tre shtylla kryesore të progresit: forcimin e politikëbërjes mbi bazë evidencash, zgjerimin e rrugëve të rregullta të migracionit përmes bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin human të migracionit.

Vizita e tij në SHBA përfshiu edhe një ndalesë në Policinë e New York, ku u diskutua mbi shkëmbimin e eksperiencave në fushën e sigurisë.

Në përfundim, ai theksoi se Shqipëria do të vijojë të investojë në politika të bazuara në të dhëna dhe të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.

 

Fjala e plotë e Lamallarit:

Të nderuar delegatë të shteteve dhe qeverive,

Është një mundësi e shkëlqyer të adresoj këtë Forum në emër të Republikës së Shqipërisë në këtë moment kaq të rëndësishëm për qeverisjen globale të migracionit.

Shqipëria është një vend origjine, tranziti dhe, gjithnjë e më shumë, edhe destinacion për migrantët.

Me një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, migracioni vazhdon të formësojë shoqërinë dhe ekonominë tonë, si edhe drejtimin e zhvillimit të vendit, në përputhje të plotë me prioritetet tona kombëtare dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Që prej miratimit të Paktit Global për Migracionin (GCM), Shqipëria ka mbetur fuqimisht e angazhuar për zbatimin e tij, e udhëhequr nga një qasje gjithëpërfshirëse e institucioneve dhe e shoqërisë.

Ne kemi punuar ngushtësisht me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, Rrjetin e OKB-së për Migracionin, si dhe me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë për avancimin e përpjekjeve tona kombëtare dhe përgatitjen e Raportit tonë Vullnetar për periudhën 2023–2025.

Më lejoni të ndalem në 3 fusha kryesore progresi:

Së pari, Shqipëria ka forcuar hartimin e politikave të bazuara në evidencë duke përmirësuar sistemet e të dhënave mbi migracionin. Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024–2030 harmonizon masat kombëtare me të 23 objektivat e GCM-së. Ky dokument strategjik ka forcuar mekanizmin ndërinstitucional të menaxhimit të migracionit dhe shërben si garanci për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe refugjatëve, përfshirë integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare. Në të njëjtën kohë, ne njohim nevojën për të forcuar më tej kapacitetet monitoruese dhe sistemet e të dhënave në nivel vendor;

Së dyti, kemi avancuar rrugët e rregullta të migracionit dhe lëvizshmërinë e punës përmes bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, si dhe përmes zgjerimit të partneriteteve dypalëshe. Këto përpjekje synojnë të krijojnë mundësi të sigurta dhe të aksesueshme për punëtorët migrantë, duke iu përgjigjur njëkohësisht nevojave në zhvillim të tregut të punës, përfshirë forcimin e lidhjeve me komunitetet tona të diasporës;

Së treti, Shqipëria ka forcuar kapacitetet për menaxhimin e migracionit në mënyrë humane dhe të rregullt. Ne kemi përmirësuar koordinimin ndërinstitucional, planifikimin e emergjencave dhe kemi forcuar menaxhimin kufitar të ndjeshëm ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Paralelisht, po avancojmë përpjekjet për kthimin dhe riintegrimin, me theks më të madh te këshillimi, mbështetja e përshtatur dhe riintegrimi i qëndrueshëm në nivel lokal, duke forcuar njëkohësisht angazhimin me diasporën.

Shkëlqesi, Shqipëria mbetet ngultazi e përkushtuar në forcimin e mëtejshëm të mbarështimit të migracionit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përgjegjësitë e përbashkëta.

Ne do të vijojmë të investojmë në hartimin e politikave të bazuara në të dhëna, të zgjerojmë rrugët e sigurta e të rregullta dhe të forcojmë mekanizmat e mbrojtjes për të gjithë migrantët.

Gjithashtu jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.