Zyrtarë të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shqyrtuar mundësinë e kufizimit të disa ilaçeve të përdorura gjerësisht kundër depresionit, në kuadër të një plani për të reduktuar përdorimin e tyre, raportojnë burime të afërta me diskutimet.
Diskutimet janë fokusuar te një grup medikamentesh të njohura si inhibitorë selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI), ku përfshihen barna të përhapura si Zoloft, Prozac dhe Lexapro, të përdorura prej dekadash në trajtimin e depresionit dhe çrregullimeve të tjera mendore, shkruan Reuters.
Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë ka mohuar kategorikisht se ka pasur diskutime për ndalimin e këtyre ilaçeve, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta.
Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka njoftuar masa që synojnë uljen e përdorimit të antidepresantëve, përfshirë udhëzime për mjekët mbi mënyrën e ndërprerjes graduale të tyre dhe investime në trajnimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
Ai ka theksuar se këto barna kanë një rol në trajtim, por nuk duhet të jenë zgjedhja e parë automatike për çdo pacient.
“Ilaçet psikiatrike kanë një rol në kujdes, por nuk do të trajtohen më si zgjidhja e paracaktuar”, është shprehur ai.
Sipas të dhënave, rreth një në gjashtë të rritur në SHBA përdor aktualisht medikamente të këtij grupi, të cilat konsiderohen nga komuniteti mjekësor si trajtim i provuar dhe efektiv për depresionin.
Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i mundshëm i tyre do të ishte i vështirë nga ana ligjore, pasi Food and Drug Administration nuk mund të ndalojë një ilaç të miratuar pa prova të reja të forta që tregojnë rrezik për pacientët.
Ndërkohë, organizatat profesionale të psikiatrisë kanë kundërshtuar narrativën se kriza e shëndetit mendor lidhet kryesisht me “mbipërdorimin” e medikamenteve, duke kërkuar më shumë kërkime dhe një qasje të balancuar në trajtim.
