
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara për një rezolutë që i kërkon Iranit të ndalojë sulmet dhe vendosjen e minave në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike detare në botë, përcjell Reuters.
Sipas diplomatëve, Kina dhe Rusia pritet të përdorin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, duke bllokuar miratimin e draftit amerikan.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, deklaroi se çdo vend që kundërshton këtë nismë “po krijon një precedent shumë të rrezikshëm”, duke ngritur pyetjen nëse këto shtete “vërtet duan paqe”.
Drafti i rezolutës është hartuar nga SHBA-ja dhe Bahreini, me mbështetjen e disa vendeve të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Katarin.
Nga ana tjetër, ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, e cilësoi dokumentin si “të njëanshëm dhe politikisht të motivuar”, duke akuzuar Uashingtonin se nuk ka legjitimitet moral për të folur për sigurinë detare, duke iu referuar veprimeve ushtarake në rajon.
Diplomatët bëjnë me dije se në mbledhjet e mbyllura të Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia kanë shprehur kundërshtime të forta, duke e konsideruar tekstin të njëanshëm dhe të bazuar në presion politik.
Rezoluta e propozuar dënon veprimet e Iranit dhe kërkon që Teherani të ndalojë menjëherë sulmet, të deklarojë vendndodhjen e minave dhe të mos pengojë operacionet e pastrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Debati në OKB vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa raportimet diplomatike flasin edhe për një mundësi marrëveshjeje të përkohshme për uljen e konfliktit.