Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja godet Iranin, raportohen sulme në disa porte



Sipas raportimeve ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore në disa objektiva në Iran, përfshirë Portin Qeshm dhe Bandar Abbas, duke shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve në rajon, përcjell Fox News.

Zyrtarë amerikanë, të cituar nga media, kanë deklaruar se operacioni “nuk përbën as rifillim të luftës dhe as fund të armëpushimit”, duke lënë të hapur interpretimet mbi statusin e konfliktit.

Sipas burimeve ushtarake, sulme janë kryer gjithashtu edhe ndaj një pikë kontrolli detar iranian në Minab.

Në të njëjtën kohë, media shtetërore iraniane ka raportuar për aktivizim të mbrojtjes ajrore në perëndim të Teheranit, si dhe shpërthime të shumta në disa zona, përfshirë Chitgar dhe provincën Hormozgan.

Raportohet gjithashtu për goditje në disa pika pranë Bandar Abbas, Bandar Khamir, Sirik dhe ishullit Qeshm, ndërsa dëshmitarët flasin për disa shpërthime të njëpasnjëshme gjatë natës.

Tensionet vijnë vetëm pak ditë pasi Irani lëshoi raketa drejt portit të Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar reagime të forta nga vendet e Gjirit Persik.

Ndërkohë, sipas burimeve të cituara nga media amerikane, vendet si Arabia Saudite dhe Kuvajti kanë shprehur pakënaqësi ndaj reagimit të Pentagonit, duke pezulluar përkohësisht përdorimin e bazave të tyre për operacione amerikane, vendim që më pas është tërhequr.

Ngjarjet e fundit ndodhin në një moment kur Uashingtoni po pret përgjigjen e Iranit ndaj një propozimi të ri për uljen e tensioneve dhe stabilizimin e situatës në rajon.