Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti në Tiranë-Durrës/ Ministria e Shëndetësisë: 12 të shtruar në QSUT, 7 në gjendje të rëndë


Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje mbi gjendjen e të lënduarve nga aksidenti i rëndë i ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, ku u përfshi një autobus me pasagjerë.

Sipas njoftimit zyrtar, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po marrin trajtim 12 persona, ndërsa shtatë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Mes të plagosurve janë edhe një fëmijë dhe një i mitur.

Ministria bën me dije gjithashtu se një prej pasagjerëve ka mbërritur në spital pa shenja jete.

“Informacion mbi gjendjen e të lënduarve gjatë aksidentit në autostradën Tiranë–Durrës. Në SUT aktualisht ka 12 persona të lënduar, 7 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore (përfshirë edhe një fëmijë e një të mitur). Një prej pasagjerëve ka mbërritur në spital pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.