Pas më shumë se tre orësh të mbajtur në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, janë liruar disa nga protestuesit e shoqëruar gjatë tubimit të zhvilluar para Kuvendit.
Mes tyre ishin edhe aktivisti Dritan Goxhaj dhe Shkëlzen Bushi, të cilët u pritën me duartrokitje dhe ovacione nga protestuesit e mbledhur jashtë komisariatit.
Pas lirimit, Goxhaj deklaroi se policia i kishte komunikuar se ishte arrestuar për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë, ndërsa mohoi të ketë pasur kundërshtim nga ana e protestuesve.
“Arsyeja e shoqërimit ishte pretendimi për kundërshtim të punonjësve të policisë, edhe pse ne nuk i kemi kundërshtuar. Ne kemi qenë gardh dhe u kemi bërë thirrje protestuesve të mos prekin punonjësit e policisë. Trajtimi ndaj nesh ka qenë normal dhe nuk ka pasur asnjë problem. Kanë ardhur disa deputetë dhe na kanë pyetur për situatën”, u shpreh Goxhaj.
Ai shtoi se protestuesit nuk pranuan të takonin Avokatin e Popullit.
“Ne nuk pranuam të takonim Avokatin e Popullit, pasi për ne ai nuk përfaqëson popullin, sepse është votuar nga një Parlament që ne e konsiderojmë Parlament krimi. Për këtë arsye, ne kërkuam largimin e tij”, deklaroi Goxhaj.
