
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Shkodër–Koplik, në zonën e fshatit Grizhë, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 16:25, në përplasje janë përfshirë tre automjete. Fillimisht, një mjet me drejtues shtetasin A.M. është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi V.X., ndërsa më pas në aksident është përfshirë edhe një automjet i tretë me drejtues shtetasin E.Gj.
Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës shtetasi Z.M., i cili udhëtonte si pasagjer në automjetin e parë.
Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar lehtë dy drejtuesit e mjeteve, si dhe pasagjerja Gj.M., të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.