Pas dështimit të Kuvendit në mesnatë për zgjedhjen e presidentit të ri, parlamenti është shpërndarë dhe Kosova tashmë do të mbajë të tjera zgjedhje parlamentare brenda 45 ditëve.
Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) Kreshnik Radoniqi, pas një takimi me Albulena Haxhiun, e cila ushtron detyrën e presidentes pas dorëzimit të mandatit nga Vjosa Osmani, ka propozuar si datë për zhvillimin e zgjedhjeve, 7 qershorin.
Është Haxhiu ajo që i mbetet për të dekretuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.
Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë. Seancat kanë dështuar njëra pas tjetrës për mungesë kuorumi ndërsa kandidaturat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë numrin e duhur të votave.
Si propozim nga Lidhja Demokrative e Kosovës, u hodh emri i ish-presidentes Vjosa Osmani, por që nuk u zyrtarizua si kandidaturë pasi nuk mori 30 vota nga parlamentarët.
