
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, u paraqit në gjykatën federale në Virxhinia të mërkurën, një ditë pasi u padit për një postim në rrjetet sociale që prokurorët pretendojnë se përbënte kërcënim ndaj presidentit Donald Trump.
Comey u dorëzua vetë për dy akuza, përfshirë kërcënim ndaj jetës së presidentit dhe transmetim kërcënimesh përtej kufijve shtetërorë. Ish-drejtori i FBI-së nuk foli gjatë paraqitjes së shkurtër në gjykatë. Avokati i tij, Patrick Fitzgerald, tha se do argumentojë se çështja është një ndjekje penale hakmarrëse, që do të thotë se është ngritur për të ndëshkuar Comey-n për ushtrimin e të drejtave të tij ligjore.
Comey ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se do t’i kundërshtojë akuzat në gjykatë.
Aktakuza shënon një përpjekje të re nga Departamenti i Drejtësisë i Trump për të vënë në shënjestër kundërshtarët e perceptuar politikë të presidentit përmes ndjekjes penale. Trump vitin e kaluar kishte bërë thirrje publikisht për ngritjen e akuzave ndaj rivalëve të tij.
Akuzat lidhen me një postim që Comey bëri në Instagram majin e kaluar, ku shfaqeshin guaska deti të vendosura në plazh për të formuar numrat “86 47”.
Numri “86” është një term slang që vjen nga industria e restoranteve dhe mund të nënkuptojë “të heqësh qafe” dikë ose ta përjashtosh. Numri 47 mund të jetë një referencë ndaj Trump si presidenti i 47-të i SHBA-së.
Aktakuza, e miratuar nga një juri e madhe federale në Karolinën e Veriut, pretendon se një marrës i arsyeshëm i mesazhit do e interpretonte atë si kërcënim ndaj Trump-it.
Comey e fshiu postimin menjëherë pasi e publikoi, duke thënë se e konsideronte një mesazh politik dhe nuk ishte në dijeni që numrat lidhen me dhunën.
Comey, një kundërshtar i hershëm i Trump-it, tashmë është përballur me dy çështje penale nga Departamenti i Drejtësisë gjatë mandatit të dytë të Trump. Një çështje e mëparshme që e akuzonte për gënjeshtra ndaj Kongresit u rrëzua nga një gjyqtar federal, shkruan Reuters.