
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, reagoi lidhur me kriteret e publikuara nga PD për kandidatët në zgjedhjet e 23 majit për kreun e partisë, duke paralajmëruar se do ndjekë procedurat për kandidim.
I pyetur nëse do dorëzojë dokumentacionin për kandidaturën, ai u shpreh se do të paraqesë të gjitha dokumentet e kërkuara, pavarësisht, sipas tij, parregullsive në proces.
“Do depozitoj gjithçka është kërkuar, pavarësisht se është qartësisht farsë. Një dokument që publikohet vetëm disa orë pas mbylljes së afatit. Pa lista zgjedhore, pa kohë të barabartë, etj. Kjo është uzurpim përmes farsës, por qartësisht edhe frikë e Sali Berisha për t’u përballur”, tha ai.
Më tej, Salianji deklaroi se në rast se dokumentacioni i tij nuk pranohet, ai nuk do ta njohë procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si të pavlefshëm: “Nuk do e njoh si proces, është uzurpim”, u shpreh ai në Report Tv.
Reagimi i tij vjen pasi udhëzimi i publikuar nga PD, vetëm 24 orë para afatit për dorëzimin e kandidaturave, parashikon se personat e dënuar nuk mund të kandidojnë, një kriter që pritet ta përjashtojë nga gara.