Situata mes Izraelit dhe Hezbollahut është tensionuar ndjeshëm këtë të diel, teksa të dyja palët kanë intensifikuar sulmet dhe kanë shkëmbyer akuza të ashpra për shkeljen e armëpushimit të arritur më 17 prill, percjell JP.
Megjithëse diplomatët po përpiqen të ruajnë qetësinë, përplasjet në terren po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Molla e sherrit mbetet interpretimi i zonës së armëpushimit, ku Izraeli pretendon se marrëveshja zbatohet vetëm në veri të lumit Litani, duke i dhënë të drejtë IDF-së të vijojë operacionet në jug për të shkatërruar depot e armëve.
Në planin e gjerë, Izraeli shpreson të mbajë jugun e Libanit për një periudhë të zgjatur për të ushtruar presion mbi Hezbollahun në procesin e çarmatimit. Që nga fillimi i armëpushimit, forcat izraelite kanë vrarë mbi 40 luftëtarë të grupit, kryesisht në zonat ku ata refuzonin të dorëzoheshin apo të tërhiqeshin.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka nisur lëshimin e dronëve dhe raketave drejt veriut të Izraelit, duke përdorur për herë të parë teknologjinë FPV që është shumë më e vështirë për t’u bllokuar nga sistemet mbrojtëse.
Kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi të shtunën mbrëma një kundërpërgjigje më të ashpër ndaj këtyre provokimeve, megjithëse Presidenti Donald Trump vijon të kërkojë përmbajtje nga të dyja palët.
Trump ka udhëzuar Izraelin që t’i kufizojë reagimet e tij për të mos lejuar dështimin total të procesit diplomatik që po zhvillohet në prapaskenë.
Pavarësisht luftimeve, qeveria libaneze dhe ajo izraelite kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh për normalizim, ku si rezultat i tyre, Trump njoftoi zgjatjen e armëpushimit fillestar deri më 17 maj.
Megjithatë, sfida mbetet e madhe për shkak të lodhjes së ushtrisë izraelite dhe zemërimit të rezervistëve, gjë që ka bërë që numri i trupave aktive në terren të jetë më i vogël se zakonisht, duke u mbështetur më shumë te artileria dhe sulmet ajrore.
