Vendosni fjalën kyçe....

Siguria ushqimore, Ministrat Salla dhe Lamallari inspektojnë PIK Durrës: Kontroll i rreptë për çdo produkt të importuar


Kontrollet për sigurinë ushqimore në importet drejt Shqipërisë po shtrëngohen bazuar në standarded e Bashkimit Europian.

Për të parë nga afër situatën, Ministri i Bujqësisë, Andis Salla dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilluan sot një inspektim në Pikën e Inspektimit Kufitar në Portin e Durrësit.

Në inspektim ishte e pranishme edhe drejtoresha e Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Blerina Gjylameti.

PIK Durrës mbetet pika kryesore hyrëse e mallrave në vend, duke përpunuar rreth 43-47% të importeve totale, përfshirë edhe tranzitin drejt Kosovës. Kjo e bën portin një nyje kyçe për kontrollin e produkteve ushqimore.

Ministri Salla theksoi se çdo ngarkesë duhet të kalojë filtrat e sigurisë para se të hyjë në treg.

Sipas tij, po punohet për ndërtimin dhe modernizimin e një rrjeti prej pesë pikash inspektimi në Durrës, Vlorë, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë Thanë që asnjë ngarkesë të mos hyjë në Shqipëri pa kaluar në filtrat e sigurisë ushqimore

“Porti i Durrësit është një nga pikat ku kalon 43 – 47% e produkteve që importohen në Shqipëri, përfshirë edhe tranzitin drejt Kosovës, ndaj është thelbësore që këtu të garantohet kontrolli i plotë i produkteve. Po ndërtojmë pesë pika për të garantuar analizat e duhura dhe kontrollin e çdo produkti, në mënyrë që asnjë ngarkesë të mos hyjë në territor pa kaluar në filtrat e sigurisë ushqimore,” theksoi Ministri Salla.

Salla shtoi se këto investime do të rrisin standardet si për importet, ashtu edhe për eksportet, duke forcuar rolin e AKU-së dhe koordinimin me institucionet e tjera. Ai nënvizoi se Porti i Durrësit do të mbetet një pikë kyçe edhe pas integrimit në BE.

Sipas tij investimet e fundit, të mbështetura edhe nga Banka Botërore, kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet në këtë pikë, duke përfshirë ambiente moderne, magazina frigoriferike dhe pajisje për analiza të shpejta.

Nga ana tjetër, ministri Lamallari vuri theksin te bashkëpunimi mes institucioneve, duke theksuar se siguria ushqimore lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve.

“Siguria ushqimore është kritike për qytetarët dhe kërkon bashkërendimin e Policisë së Shtetit, AKU-së dhe doganave për të parandaluar hyrjen e produkteve të rrezikshme apo të falsifikuara,” u shpreh ai.

Në mesazhin e tyre, të dy ministrat nënvizuan se : kontroll më i fortë në kufi ofron më shumë garanci për atë që përfundon në tryezat e qytetarëve.