Vendosni fjalën kyçe....

Nis me debate Kuvendi, Gjuzi: Nëse doni sherr, mos kujtoni se s’jemi gati


Seanca e sotme plenare e Kuvendit ka nisur me debate. Deputeti Kujtim Gjuzi, ka akuzuar kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballaën, se nuk po takon krerët e partive të vogla për të diskutuar lidhur me zhvillimet mbi Reformën Zgjedhore.

Më pas Gjuzi fillon të flasë se është gati për sherre.

“Ne kërkojmë të flasim këtu. Kemi dy ditë që kemi lënë takim së bashku, ok po hapim rrugë se Kuvendi është më i rëndësishëm, por në fakt ligji për partitë politike bëhet. Nuk kam kundërshtim z. Balla që të takoni grupet parlamentare, por këtu kemi shkelje të procedurave dhe një ngecje. Çfarë doni me bë? Nëse doni sherr e probleme, mos kujtoni se s’jemi gati për sherre, të bëjmë më bojë kryeministrin, zv.ministrat. Të hedhim granatë këtu brenda, por ne duam ta sjellim situatën në normalitet.

Nëse këtu një deputet ja jep mendja të futet me ç’të dojë brenda, futet, se është futur këtu me çdo gjë. Kështu që z.Balla nuk mund t’i anashkaloni 8 partitë politike, ke dhënë fjalën.”- deklaroi Gjuzi.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, iu përgjigj Gjuzit duke thënë se deputetët janë mbledhur në Kuvend dhe jo në mbledhje partie, ndaj dhe nuk mund t’i kërkojë llogari numrit dy të PS-së.

“Ulu dhe mos më ndërprit mua, se po flet, nuk po dëgjon. Deputetët kanë të drejtë të flasin nga 2 minuta, se kur e përdorin, njëherësh apo nga 30 sekonda, është puna e tyre. Sa i përket asaj që ngrite për Sekretarin e Përgjithshëm, këtu jemi në Kuvend, nuk jemi në mbledhje partish.’- janë fjalët që përdor Ruçi.