Ndërsa Mali i Zi po hedh hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian, duke avancuar edhe sot me ngritjen e grupit të punës për hartimin e traktatit të aderimit, nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka arritur të sigurojë një foto në Bruksel.
Balla zhvilloi një takim me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, të cilin e cilësoi si një “mik të vyer” të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se raporti i këtij viti për Shqipërinë, që pritet të votohet në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFET) më 5 maj, vlerëson arritjet e vendit dhe inkurajon vijimin e reformave.
“Raporti është një udhërrëfyes i rëndësishëm ku vlerësohen arritjet e Shqipërisë dhe inkurajohet vazhdueshmëria e këtij momentumi reformash,” shkruan ai.
Por zhvillimet në rajon tregojnë një diferencë gjithnjë e më të theksuar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit.
Prej dy vitesh, nga Komisioni Evropian është theksuar vazhdimisht se të dy vendet janë në krye të procesit të zgjerimit, por që prej dhjetorit është krijuar një hendek i dukshëm.
Mali i Zi ka arritur të mbyllë përkohësisht thuajse gjysmën e kapitujve të negociatave dhe tashmë ka hyrë në një fazë të re, me vendimin e shteteve anëtare për ngritjen e grupit të punës që do të draftojë traktatin e aderimit, një sinjal i qartë politik se anëtarësimi është në horizont të afërt.
Në krahun tjetër, Shqipëria vijon të përballet me ngadalësim të procesit, ndërsa ende nuk ka një horizont të qartë se kur mund të miratohet IBAR-i, një element kyç për ecurinë e mëtejshme drejt BE-së.
Ndërkohë që në Bruksel flitet për “klimë pozitive” dhe për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ritmi i zhvillimeve konkrete në terren tregon se vendi mbetet pas në raport me fqinjin e tij, i cili po afrohet me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë.
