Irani ka sekuestruar dy anije në Ngushtica e Hormuzit, duke përshkallëzuar tensionet në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi pezullimin pa afat të sulmeve ndaj Iranit.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, Garda Revolucionare Islamike ka ndaluar dy mjete lundruese për shkelje detare dhe i ka shoqëruar ato drejt brigjeve iraniane.
Kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit që Irani ndërmerr një veprim të tillë.
Më herët, një agjenci britanike e sigurisë detare raportoi se tre anije kishin rënë nën zjarr në këtë zonë. Një prej tyre, një anije kontejnerësh, raportoi dëmtime të rënda në urën e komandimit pas sulmit me armë zjarri dhe granata, ndërsa nuk u raportuan viktima, përcjell Reuters.
Trump deklaroi se SHBA ka pranuar kërkesën e ndërmjetësve nga Pakistan për të ndalur sulmet ndaj Iranit “derisa udhëheqësit e tij të paraqesin një propozim të përbashkët dhe të përfundojnë diskutimet”. Megjithatë, ai theksoi se bllokada detare ndaj tregtisë iraniane do të vazhdojë.
Shtetet e Bashkuara kanë qëlluar dhe sekuestruar një anije mallrash iraniane gjatë fundjavës dhe kanë hipur në një supertanker në Oqeanin Indian, si pjesë e kësaj bllokade.
Irani e konsideron këtë veprim si akt lufte dhe ka paralajmëruar se nuk do të hapë ngushticën për qarkullim të lirë për aq kohë sa bllokada vazhdon.
Ndërkohë, Pakistan vijon përpjekjet për të ndërmjetësuar bisedime mes palëve, pavarësisht dështimit të një raundi të fundit negociatash në Islamabad.
Një hotel në kryeqytetin pakistanez ishte përgatitur për takimin, por delegacioni amerikan i drejtuar nga zëvendëspresidenti JD Vance nuk u nis nga Uashingtoni, ndërsa Irani nuk konfirmoi publikisht pjesëmarrjen.
Një zyrtar pakistanez tha për Reuters: “Ne kishim përgatitur gjithçka. Skena ishte gati për bisedimet. Sinqerisht, ishte një pengesë që nuk e prisnim.”
Nga ana tjetër, një burim tjetër i përfshirë në ndërmjetësim theksoi: “Po punojmë shumë për të afruar palët dhe për të marrë parasysh ndjeshmëritë e secilës palë.”
Në Teheran, reagimet ndaj deklaratës së Trump kanë qenë skeptike. Një këshilltar i kryetarit të parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf sugjeroi se njoftimi mund të jetë një manovër politike, ndërsa media iraniane theksoi se vendi nuk ka kërkuar zgjatje të armëpushimit.
Gjatë gjithë konfliktit, Irani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit, përmes sulmeve ndaj anijeve që tentojnë të kalojnë pa leje. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë kalon zakonisht përmes kësaj rruge, duke e bërë situatën kritike për tregjet globale të energjisë.
Mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të thella, duke përfshirë çështjet e armëpushimit, bllokadës detare, programit bërthamor dhe kontrollit të ngushticës.
SHBA kërkon largimin e uraniumit të pasuruar nga Irani, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile dhe kërkon heqjen e sanksioneve, dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe njohjen e kontrollit të tij mbi këtë korridor strategjik.
