Vendosni fjalën kyçe....

10 fakte që media i fsheh për Gërdecin


Çdo 15 Mars media ofron detaje dhe fakte të përsëritura mbi dosjen ‘Gërdeci’. Fakte të stërthëna apo detaje të përzgjedhura nga dosja që tregojnë diçka, ndonëse kjo dosje fsheh ende disa të panjohura dhe probleme thelbësore, që media nuk preferon asnjëherë t’i eksplorojë. Hashtag.al ofron në vijim 10 fakte dhe ngjarje, të verifikuara, të cilat japin një tjetër këndvështrim, të ndryshëm nga sa jeni mësuar të lexoni mbi çështjen ‘Gërdeci’.

  1. Nuk dihet arsyeja pse shpërtheu ‘Gërdeci’

Pas shpërthimit, prokuroria shqiptare pajtoi agjencinë amerikane ATF për të hetuar shkakun e shpërthimit. Ekspertët amerikanë kryen studimin dhe konkluzioni që ata dhanë në fakt nuk ishte një konkluzion, por një dilemë.

Ekspertët amerikanë dhanë 5 shkaqe hipotetike që mund të kishin shkaktuar shpërthimin. Ndërsa në raport amerikanët shkruanin: “shkaku i pestë mund të jetë ndonjë arsye tjetër që ne nuk e kemi parashikuar në këtë raport”.

Me pak fjalë hetimi nuk dha asnjë rezultat, por prokuroria shqiptare mori një nga shkaqet hipotetike të shpërthimit dhe e bëri fakt të kryer. Prokuroria tha se ishte karroca e saldimit shkaku, ndonëse ekspertët thoshin se kjo s’mund të vërtetohej, por thjesht dyshohej.

Ish-kryeprokurorja Ina Rama nuk u pyet asnjëherë nga media se përse ajo zgjodhi arbitrarisht për të konvertuar në akuzë një fakt hipotetik të pavërtetuar me ekspertizë.

  1. Prokuroria përjashtoi nga hetimi njeriun më të rëndësishëm

Fabrika e Gërdecit ishte ligjërisht në pronësi të biznesmenit amerikan Patrick Cornelious Henry III. Biznesmeni shqiptar Mihal Delijorgji, ishte ligjërisht një nënkontraktor i Henryt.

Por prokuroria shqiptare nuk shpalli asnjëherë fletë-arresti për biznesmenin amerikan Patrick Henry, gjatë gjyqit prokuroria kërkoi që Henry të dëshmonte nga SHBA-ja nëpërmjet një video-konference. Prokuroria shqiptare nuk dha asnjëherë arsye se mbi ç’bazë e përjashtoi z.Henry nga hetimet dhe pse ajo i mori të mirëqena deklarimet e tij se kontrata e dytë mes tij dhe Ministrisë së Mbrojtjes ishte falsifikuar.

Biznesmeni amerikan mori menjëherë imunitet nga prokuroria shqiptare dhe nuk u bë për asnjë moment objekt hetimi. Një rast i rrallë ky ku arrestohet nën/kontraktori dhe lihet i lirë kontraktori që ka përgjegjësinë direket.

  1. Stafi i Ambasadës Amerikane në Tiranë ishte nën hetim në SHBA

Kongresi në SHBA ngriti një komision hetimor pas artikullit në NYT. Komisioni “Waxman” nisi hetimin e fakteve dhe pjesë e hetimit ishin disa zyrtarë të rëndësishëm të ambasadës amerikane në Tiranë.

Por përtej këtij fakti dhe dyshimeve të bazuara se këta zyrtarë kishin nxitur dhe toleruar këtë biznes, në Tiranë situata paraqitej krejt ndryshe. Ishte ambasada amerikane dhe ky staf që mbikëqyrte hetimet dhe që udhëzonte ish-kryeprokuroren Ina Rama mbi mënyrën se si duhej të hetonte.

Ky ishte një nga konfliktet më flagrante të interesit, por askush nuk foli. Askush.

  1. Gazeta “New York Times” devijoi investigimin

Ndonëse gazeta “New York Times” nuk kishte në epiqendër fabrikën e Gërdecit dhe demontimet, por kishte kontratën e shitjes së fishekëve kinezë, ngjarjet lidheshin nëpërmjet disa personazheve.

Por shkrimi i bujshëm i NYT ofroi një histori rozë me një djalosh që quhej Efraim Diveroli, i cili kishte arritur të fitonte një kontratë të majme në Pentagon për blerjen e fishekëve.

E vërteta është se Efraim Diveroli nuk ka qenë asnjëherë një kontraktor i Pentagonit. Sepse korporata që fitoi kontratën në Pentagon quhej “BETA” dhe është një nga korporatat më të fuqishme në botë në biznesin e armatimit.

Faksimile e shkrimit të New York Post

Djaloshi Efraim Diveroli, u bë nën/kontraktor i kompanisë “BETA” dhe jo i Pentagonit. Pra ishte kompania “BETA” lojtari kryesor në këtë histori, por emri i kësaj kompanie thuajse nuk u përmend fare. Me kompaninë “BETA” ishin të lidhur disa drejtues dhe ish-drejtues në dekada të Pentagonit.

“BETA” kishte pajtuar kompaninë e Diverolit për të bërë ‘punët e pista’ me fishekët kinezë. Kjo skemë i vlejti, sepse kur plasi skandali ishte Diveroli ai që u “dogj”, ndërsa reputacioni i kompanisë “BETA” qëndroi i papërlyer.

  1. Prokuroria shqiptare ndërtoi një akuzë absurde

Akuza kryesore që prokuroria shqiptare ngriti ndaj Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Dritan Minxollit ishte ajo e “vrasjes me dashje dhe paramendim”.

Absurdi i kësaj akuze qëndronte në faktin se kur akuzon dikë për vrasje me paramendim, duhet me doemos të ofrosh dhe motivin pse është orkestruar vrasja. Motivin prokuroria nuk e jepte dhe nuk dinte ta thoshte.

Për cilën arsye një biznesmen duhej të vriste punëtorët e vetë dhe të hidhte në erë një biznes që i sillte miliona dollarë fitime?

Megjithatë prokuroria i qëndroi kësaj akuze deri në fund, ndonëse gjykata ja rrëzoi duke e konsideruar si një akuzë absurde dhe të pabazuar.

  1. Aksidentin e Kosta Trebickës e ‘certifikoi’ një amerikan

Çdo 15 Mars vijnë në media fakte dhe detaje nga dosja “Gërdeci” e bashkë me to nuk mungojnë asnjëherë dhe dyshimet mbi atë që i ndodhi Kosta Trebickës. Vdekja e Trebickës u klasifikua zyrtarisht si një aksident automobilistik, ndonëse perceptimi publik në shumicën e tij e dyshon si një vrasje.

Por ajo që mediat shqiptare harrojnë përherë që ta thonë është fakti se janë pikërisht amerikanët ata që e klasifikuan dhe e certifikuan si ‘aksident’ këtë vdekje.

Kosta Trebicka

Pas vdekjes së Trebickës, prokuroria shqiptare, me ndihmën e ambasadës amerikane pajtoi një ekspert amerikan të quajtur Kevin Teter, ai rezultonte pronar i një ofiçine mekanike në Kaliforni. Teter erdhi në Tiranë bëri ca matje dhe doli në konkluzionin se Trebicka kishte humbur jetën si pasojë e përmbysjes së makinës së tij.

Raporti autoteknik i ekspertit amerikan ishte dhe baza ku u mbështet prokuroria shqiptare për ta quajtur vdekjen e Trebickës si një aksident.

  1. CIA i dha certifikatë mirënjohje Ylli Pinarit në burg

Ndërsa ish-drejtori i kompanisë MEICO, Ylli Pinari, ndodhej në qelitë e burgut 313 i arrestuar dhe nën akuzë, brenda qelive të burgut ndodhi një ngjarje e panjohur për publikun e gjerë.

Përfaqësues të shërbimeve amerikane i dorëzuan atij në burg një certifikatë mirënjohje për disa shërbime që kishte kryer në bashkëpunim me autoritetet e CIA-s.

Pinari kishte bashkëpunuar për interes të shërbimeve amerikane në disa misione jashtë Shqipërisë.

Ylli Pinari

  1. Laptopi i Pinarit u bastis dhe materialet i’u dhanë medias

Dy prej te akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli, gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Faktit, ku Pinari ka fajësuar Forcat e Komandos së Bashkuar FKB, si përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit.

Një nga ngjarjet më pikante të ndodhura me hetimin e Gërdecit, ishte dalja në media e të gjithë dosjes që dispononte prokuroria. Mes dokumenteve të shumta ishin dhe materialet e gjetura në laptopin e Ylli Pinarit, ish-drejtor i MEICO.

Disa prej fotove të gjetura e tregonin Pinarin edhe gjatë një vizite në fabrikat e armëve në Korenë e Veriut. Koreja e Veriut është një vend armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vizita e Pinarit atje ishte për llogari të shërbimeve amerikane.

Por ndonëse ishte një vizitë tepër sekrete dhe delikate, dokumentet dhe fotot e kësaj vizite rrodhën në media duke sjellë një situatë që mund të ndodhë vetëm në republikat e bananeve.

  1. Amerikanët kërkuan që Ylli Pinari të mos arrestohej

Arrestimi i ish-drejtorit të MEICO-s Ylli Pinari ka ndodhur mes shumë polemikash. Amerikanët e konsideronin atë një partner efikas dhe tepër të besuar, ndërsa i kërkuan autoriteteve shqiptare që të mos e arrestonin.

Këmbënguljen më të madhe që Pinari të arrestohej e kishte ish-Presidenti Bamir Topi. Përtej sugjerimeve të partnerëve amerikanë që arrestimi i Pinarit ‘duhej menduar mirë’ Topi i dha dritë jeshile ish-kryeprokurores Ina Rama për të ekzekutuar arrestimin. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku është arrestuar drejtori i kompanisë shtetërore të shitblerjes së armatimeve.

Drejtorët e këtyre kompanive kanë një valencë të veçantë, ata nuk janë zyrtarë dosido, por janë nyje ku lidhen shërbime inteligjente dhe interesa strategjike. Janë njerëzit e ‘punëve të pista’ që i ka çdo shtet dhe arrestimi i tyre nuk është thjesht një çështje ligjzbatimi.

  1. Dorëheqja e Zamir Shtyllës ende e pazbardhur

Ish-drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme Zamir Shtylla ishte njeriu kyç që drejtoi hetimet mbi Gërdecin. Por Shtylla dha krejt papritur dorëheqjen nga posti ndërsa prokuroria duhej të vendoste se çfarë do të bënte me Rrahman Selmanllarin, i cili njihej si një mik i Shkëlzen Berishës dhe i dilte emri në disa dokumente dhe kontrata në dosje.

Zamir Shtylla dhe Ish-kryeprokurorja Ina Rama

Arsyet e dorëheqjes së Zamir Shtyllës nuk u bënë asnjëherë të qarta për publikun dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama nuk sqaroi asnjëherë atë që kishte ndodhur, ndonëse prokuroria mori namin sikur po bënte një hetim ‘rigoroz’ duke përballuar presionet politike.

E vetmja gjë e sigurt që dihet mbi z.Shtylla është se porsa erdhi qeveria Rama në pushtet, e emëroi atë nëndrejtor të Përgjithshëm të Doganave./Hashtag.al

 

VINI RE: Ky material është shkruar nga Hashtag.al në vitin 2016


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *