
Tre qendra telefonike, të dyshuara për përfshirje në skema mashtrimi ndaj qytetarëve europianë me qëllim përfitimi financiar të paligjshëm, janë goditur sot në kuadër të një operacioni të gjerë policor.
Dy prej tyre ushtronin aktivitet pranë zonës së Kopshtit Zoologjik, ndërsa një tjetër në Rrugën e Kavajës, ku mësohet se ishin të shpërndara në tre kate të një godine, edhe pse dy prej tyre kanë rezultuar me dyer të mbyllura gjatë ndërhyrjes, shkruan Report Tv.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me prokurore Rovena Zoto, në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, të cilat kanë iniciuar hetimet duke dërguar materialet dhe informacionet përkatëse drejt palës shqiptare. Hetimi për këtë çështje ka nisur rreth dy vite më parë, pas shkëmbimit të të dhënave ndërinstitucionale.
Sipas të dhënave paraprake, në këto struktura dyshohet se ishin të angazhuar rreth 70 persona, kryesisht operatorë, të përfshirë në aktivitetin e pretenduar mashtrues. Vetëm në njërën prej qendrave, atë në Rrugën e Kavajës, gjatë kontrollit janë konstatuar rreth 60 punonjës brenda ambienteve.
Prokuroria ka caktuar 9 masa sigurie për personat e dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa deri tani janë arrestuar 4 individë. Hetimet dhe kërkimet për persona të tjerë vijojnë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, që dyshohet se tejkalojnë 800 mijë euro, të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm, si dhe pajisje kompjuterike e teknike të përdorura për realizimin e skemave të mashtrimit ndaj qytetarëve europianë.
Ky është një tjetër operacion në vazhdën e goditjeve ndaj rrjeteve të ngjashme në kryeqytet, pasi edhe më herët janë zbuluar aktivitete të tilla në ambiente të ndryshme, përfshirë struktura në ndërtesa të larta në Tiranë.
Të arrestuarit e konfirmuar deri tani janë:
Eduart Dalla
Tedi Agastra
Mateo Hoxha