Situata rreth protestës së organizuar nga Lëvizja BASHKË në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë (përkatësisht në Plazhin e Zvërnecit – Dalan) është përshkallëzuar me shpejtësi gjatë ditës së sotme. Përmes denoncimeve publike në rrjetet sociale, aktivistët kanë ngritur alarmin për prezencën e forcave të shumta policore dhe personave të paidentifikuar që kanë ndërhyrë dhunshëm ndaj pjesëmarrësve.
Sipas njoftimit të parë të shpërndarë nga aktivistja Mirela Ruko dhe faqja zyrtare e Lëvizjes BASHKË, protestuesit që po marshonin drejt zonës bregdetare u përballën me një rrethim të rreptë.
“Persona të maskuar dhe forca të shumta policore presin protestuesit në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë,” thuhej në reagimin fillestar të shoqëruar me pamje nga terreni, ku shiheshin automjete dhe burra të veshur me të zeza e të maskuar.
Vetëm pak minuta më vonë, organizata ka publikuar pamje akoma më shqetësuese nga Plazhi i Zvërnecit. Në video dhe foto shihen momente të përplasjes fizike, ku disa persona të veshur civilë tërheqin zvarrë një person të shtrirë në rërë.
Lëvizja BASHKË e ka cilësuar këtë akt si një rrëmbim të hapur dhe ka akuzuar drejtpërdrejt oligarkët e lidhur me projektet në këtë zonë bregdetare.
“Rrëmbehet protestuesi! Në sy të policisë, njerëzit e oligarkëve rrëmbejnë protestuesin,” shkruhet në videon e shpërndarë.
Deri më tani, strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë dalë me një sqarim zyrtar nëse personat e maskuar që kryen ndalimin/tërheqjen e aktivistit janë efektivë të forcave speciale të ndërhyrjes apo roje private të sigurisë së bizneseve që operojnë në zonë.
