Kryetarja e Komisionit të Turizmit, Ina Zhupa, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë nga qyteti i Sarandës, duke e cilësuar menaxhimin e mbetjeve si një dështim që po dëmton imazhin turistik të vendit. Sipas Zhupës, miliona euro po shpenzohen për atë që ajo i quajti “inceneratorë fantazmë”, ndërkohë që situata në terren mbetet kritike.
Deputetja demokrate vuri në dukje kontrastin mes shifrave zyrtare dhe realitetit. Ndonëse Shqipëria prodhon mesatarisht 322 kg mbetje për frymë — shifër kjo dukshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 517 kg — nivelet e ndotjes në vend mbeten shqetësuese.
“Qeveria ende s’ka pranuar që dështoi me ‘incenerimin fantazmë’, që djeg vetëm paratë e shqiptarëve, dhe vazhdon të japë akoma para që nuk dihet ku shkojnë,” — deklaroi Zhupa përmes një reagimi zyrtar.
Duke u ndalur specifikisht te situata në jug të vendit, Zhupa theksoi se infrastruktura aktuale është tërësisht e pamjaftueshme për të përballuar fluksin e vizitorëve. Gjatë sezonit veror, popullsia në Sarandë rritet deri në pesëfish, por kapacitetet e pastrimit nuk ndryshojnë, duke krijuar imazhe që “pushtojnë” rrjetet sociale.
“Kosha të tejmbushur në mes të ditës, grumbullime spontane mbetjesh në Ksamil dhe në gjithë qarkun, imazhe që bëhen virale dhe dëmtojnë rëndë reputacionin tonë,” — nënvizoi ajo, duke shtuar se turistët zgjedhin destinacione të pastra dhe jo vende ku plehrat janë pjesë e peizazhit.
Sipas kryetares së komisionit, zgjidhja nuk vjen përmes propagandës, por përmes investimeve reale në riciklim dhe modernizimit të mjeteve të transportit, pasi aktualisht mbetjet e Sarandës dërgohen në landfillin e Bajkajt me mjete të amortizuara.
“Një foto me plehra shpërndahet më shpejt se çdo reklamë pozitive. Saranda dhe çdo qytet turistik kanë nevojë për menaxhim të diferencuar të mbetjeve dhe shtim të fondeve gjatë sezonit,” — u shpreh në mbyllje të statusit të saj Ina Zhupa.
