Vendosni fjalën kyçe....

Arkitektura e re e Lindjes së Mesme: Teknologjia, normalizimi dhe sfida iraniane


Nga Enri Çeno

 

Nga konflikte ideologjike te bashkëpunimi teknologjik – Lindja e Mesme po përjeton një transformim të heshtur, por të thellë. Partneritetet e reja mes Shteteve të Bashkuara, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale nuk janë thjesht marrëveshje teknologjike.

Ato po shënojnë një ndryshim paradigme në mënyrën se si ndërtohet ndikimi, ruhet siguria dhe projektohet fuqia në këtë rajon.

Investime të tilla – përfshirë projektin “Stargate” në Abu Dhabi dhe nismën “Humain” në Riad – synojnë jo vetëm përpunimin e të dhënave rajonale, por shërbimin e gjithë Global South-it përmes teknologjive të avancuara amerikane.

Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara po ofrojnë një alternativë ndaj ekosistemit digjital kinez, duke përforcuar lidhjet strategjike me partnerë që kanë zgjedhur të integrohen në arkitekturën globale perëndimore.

Por nëse këto zhvillime lexohen thjesht si tregti teknologjike, atëherë nënvlerësohet thelbi i tyre. Qendrat e të dhënave janë bërë bazat e reja gjeostrategjike – jo për raketa, por për algoritme. Dhe algoritmet, në epokën e sotme, përcaktojnë si operon ekonomia, si qeverisen shtetet dhe si zhvillohen konfliktet. Kjo e bën infrastrukturën digjitale një mjet të fuqishëm për ndikim – dhe për diplomaci.

Në këtë kontekst, rikthimi i vëmendjes ndërkombëtare te Marrëveshjet e Abrahamit përbën një zhvillim të rëndësishëm. Më shumë sesa një kornizë për normalizim diplomatik midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, këto marrëveshje janë shndërruar në platformë për bashkëpunim ekonomik, teknologjik dhe në fushën e sigurisë. Në vitet e fundit, fjalë si “siguri kibernetike”, “infrastrukturë cloud” dhe “AI e përbashkët” janë bërë pjesë e diskursit diplomatik të këtij koalicioni të ri.

Në mënyrë të natyrshme, kjo dinamikë prodhon edhe përjashtime. Irani, për shembull, po përjeton një izolim të ri – këtë herë, jo përmes sanksioneve klasike ekonomike apo kufizimeve ushtarake, por përmes përjashtimit nga ekosistemi teknologjik që po formësohet në rajon. Sulmet e fundit ndaj infrastrukturës iraniane dhe paralajmërimet për kufijtë e padukshëm të lejuar në luftën kibernetike tregojnë se kontrolli mbi informacionin dhe kapacitetet e llogaritjes po shndërrohet në linjën e re të kuqe.

Ky lloj izolimi, megjithëse më pak i dukshëm, mund të jetë më i thellë dhe afatgjatë. Sepse një shtet që nuk merr pjesë në rrjetet globale të të dhënave, që nuk kontribuon në zhvillimin e modeleve të përbashkëta të AI-së dhe që nuk ka akses në infrastrukturën cloud, përjashtohet jo vetëm nga ekonomia botërore, por edhe nga bisedat strategjike të së ardhmes.

Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm në nxjerrjen e përfundimeve përfundimtare. Edhe pse bashkëpunimi teknologjik mund të krijojë ndërlidhje të reja, stabiliteti afatgjatë nuk është i garantuar vetëm nga infrastruktura.

Ai kërkon përfshirje të balancuar, transparencë në përdorimin e teknologjisë dhe, mbi të gjitha, ndërtimin e një besimi të ndërsjellë mes partnerëve që nuk janë gjithmonë të barabartë në kapacitete apo në vizionin politik.

Shtetet e Bashkuara janë përballë një zgjedhjeje strategjike: të thellojnë partneritetet me aleatë që tregojnë vullnet për bashkëpunim, por që ndonjëherë operojnë jashtë kornizës liberale demokratike. Ky është një ekuilibër delikat. Investimi në teknologji duhet të shoqërohet me mbështetje për institucionet e hapura, qeverisjen e përgjegjshme dhe përdorimin etik të AI-së. Në të kundërt, rrezikohet që teknologjia të forcojë autoritarizmin në vend që të nxisë integrimin dhe zhvillimin.

Në fund, ndoshta nuk jemi më në epokën kur aleancat përcaktoheshin nga vendosja e bazave ushtarake apo nga nënshkrimi i traktateve të sigurisë. Sot, miqtë e vërtetë janë ata me të cilët ndajmë të dhënat, rrjetet dhe të ardhmen teknologjike.

Dhe për vendet e Lindjes së Mesme, ajo e ardhme po formësohet tani – midis kabllove optike, qendrave të të dhënave dhe bashkëpunimeve që mund të sjellin paqe, por vetëm nëse ndërtohen me maturi dhe vizion.