
Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar Ministrin e Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, si kryeministrin e ri të Francës – i katërti në më pak se një vit – pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme në një votë mosbesimi në Parlament, përcjell AP.
Lecornu, 39 vjeç, është ministri më i ri i Mbrojtjes në historinë e Francës dhe konsiderohet arkitekti i një strategjie të gjerë për forcimin e ushtrisë franceze deri në vitin 2030, e nxitur nga agresioni rus në Ukrainë.
Ish-konservator që iu bashkua qendrës politike të Macron në vitin 2017, ai ka mbajtur poste në administratën lokale, territoret përtej detit dhe ka luajtur rol kyç gjatë debatit kombëtar pas protestave të “jelekëve të verdhë”. Lecornu ka qenë gjithashtu i përfshirë në negociatat për autonomi gjatë trazirave në Guadelupë në vitin 2021.
Emërimi i tij vjen pas rrëzimit të qeverisë së François Bayrou – i cili qëndroi vetëm disa muaj në detyrë – pasi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e deputetëve për një plan shkurtime të forta buxhetore për të ulur borxhin publik.
Përballë krizës politike dhe rrezikut të bllokadës parlamentare, Macron i ka kërkuar Lecornu-t të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë politike në Parlament përpara se të formojë kabinetin e tij dhe të negociojë buxhetin kombëtar.
Në një deklaratë, presidenti Macron theksoi se veprimet e kryeministrit të ri do të udhëhiqen nga “mbrojtja e pavarësisë dhe fuqisë së Francës, në shërbim të popullit dhe stabilitetit institucional.”