
Apple prezantoi të martën një model të ri dhe më të hollë të iPhone “Air” me një “bateri me dendësi të lartë” dhe një procesor krejt të ri, si dhe një iPhone 17, si përditësimin më të fundit të telefonit të saj kryesor.
Modeli iPhone Air është ylli i ngjarjes vjetore të prezantimit të produktit, dhe Apple tha se modeli është iPhone i saj më i qëndrueshëm deri më tani.
Apple tha se modeli bazë iPhone 17 do ketë një ekran më të ndritshëm dhe më durues ndaj gërvishtjeve. Gjithashtu tha se pajisja do ketë një çip të ri procesori A19, i cili do jetë i bërë me teknologjinë e prodhimit të çipave 3-nanometër dhe do ketë aftësi të përmirësuara për veçoritë e inteligjencës artificiale në pajisje.
Apple tha se iPhone 17 do ketë gjithashtu një kamerë më të mirë të përparme me një sensor me formë të ndryshme për t’i bërë selfiet horizontale të duken më mirë.
Kompania gjithashtu prezantoi një model të ri të kufjeve të saj AirPods Pro dhe një monitor të tensionit të gjakut në Apple ëatch-in e saj të fundit, shkruan Reuters.
AirPods Pro 3 i ri do ketë përkthim të drejtpërdrejtë të gjuhëve. Apple tha gjithashtu se nëse dy personat në një bisedë mbajnë AirPods Pro 3, kufjet do përkthejnë bisedat në kohë pothuajse reale. Apple tha se AirPods e rinj do kushtojnë 249 dollarë, njësoj si gjenerata e mëparshme, dhe do jenë të disponueshme më 19 shtator.
Funksioni i mbikëqyrjes së tensionit të gjakut është në pritje të miratimit rregullator, tha Apple. Ora nuk do zbulojë çdo rast të tensionit të lartë të gjakut, por kompania tha se pret që funksioni të ndihmojë mbi 1 milion njerëz dhe do e bëjë të disponueshëm në 150 vende.
Apple nuk e rriti çmimin e modeleve të orëve. Versionet e reja të SE do kushtojnë 249 dollarë, Seria 11 do kushtojë 399 dollarë dhe modeli më i madh Ultra do fillojë nga 799 dollarë, siç bënë të gjithë paraardhësit e tyre.
iPhone Air do konkurrojë me Galaxy S25 Edge të Samsung dhe analistët i thanë Reuters se mund të jetë një trampolinë drejt konkurrencës me telefonat e palosshëm të Samsung, të cilët janë në brezin e tyre të shtatë. Një telefon i palosshëm është i rëndësishëm që Apple të tërheqë klientët në Kinë, ku konsumatorëve u pëlqejnë telefonat e palosshëm dhe kompania ka humbur pjesë të tregut.