Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Po vijnë impiantet nga Bangladeshi, një shpërdorim i tmerrshëm në fushën e Energjisë



Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediet, ku tha se do denonconte një “shpërdorim të tmerrshëm” në fushën e energjisë.

Ai tha se nga Bangladeshi po vijnë impiante për prodhimin e energjisë, por që sipas tij kanë një kosto 760 milionë euro për dy vite.

“Sot dua të sjell në vëmendjen e mediave dhe të publikut një zhvillim antiekonomik të rëndë, një shpërdorim të tmerrshëm që po ndodh në fushën e energjisë.

Anija që po sjell impiantet për prodhimin e energjisë, impiantet nga Bangladezahi, në postin e Vlorës ka hyrë në kanalin e Suezit.

760 milionë euro është e llogaritur nga specialistët më të mirë kostoja për dy vite që do punojnë këto impiante, përfshirë këtu qiranë e tyre dhe naftën që shpenzojnë.

Më poshtë keni të detajuar nga ekspertët koston e këtyre impianteve.

Kostoja ditore e tyre është kjo:

Për prodhimin e 1 megavati, këto impiante harxhojnë 220 litra naftë. Impiantet prodhojnë 110 megavat në 24 orë. Nëse e shumëzojmë me 220 litra, ata shpenzojnë 580800 litra naftë në ditë. 580800 litra naftë, nëse i shumëzojmë jo me 2300 sa është sot dhe më shumë, por vetëm me 1900 lekë, impiantet harxhojnë në ditë 949672 euro. Por kjo është vetëm nafta.

Prodhimi ditor i energjisë është 2640 megavat.

Përveç kostos së naftës, qiraja ditore është 91.117 euro. Në total, është 1.490.799 euro. Në rast se llogarisni çmimin e megavatit, këto 1.490.799 euro shpenzohen për prodhimin e 2640 megavat, prodhimi ditor. Do të thotë se 1 megavat kushton 398 euro, pra rreth 400 euro.

Kostoja për dy vite qira, pra për 730 ditë del mbi 761 milionë euro.”- tha Berisha.

Berisha u shpreh se kaskada e Drinit po zbrazet në mënyrën më të pabesueshme dhe të rrufeshme dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se s’po bën asgjë, por po e justifikon këtë krim të shëmtuar për impiantet në Vlorë.

“Çfarë po bën Edi Rama tani për të dalë para shqiptarëve me këtë batërdi.

Po bën në mënyrën më të pabesueshme zbrazjen e rrufeshme të kaskadës së Drinit.

Çdo ditë kaskada ulet me mbi 50 cm në ditë. Sot kaskada është 274 metra, në një kohë kur me rregulloren ajo me datën 1 shtator nuk mund të jetë kurrë poshtë 284 metra. Ndalohet me ligj.

Edi Rama për justifikuar këtë krim të shëmtuar, për të ju thënë shqiptarëve se nuk ka energji në bursë, diga dhe të instalojë këto dy impiante në Vlorë.

Ju informoj se këto impiante kanë funksionuar për 20 vite me radhë rresht në Khulna të Bangladeshit. Nga viti 2018 e deri më sot, ata kanë qenë pa funksion.”– shtoi ai.