Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi rus me raketa dhe dronë në Ukrainë plagos 3 persona



Ukraina u përball me një sulm të rëndë nga Rusia në orët e para të mëngjesit të së premtes, ku u përdorën raketa balistike dhe dronë, sipas autoriteteve ukrainase. Të paktën tre persona janë plagosur si pasojë e sulmeve në kryeqytetin Kiev.

Sipas kreut të Administratës së Qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko, shpërthime të shumta u dëgjuan në disa pjesë të qytetit. Mbeturina nga raketat e rrëzuara shkaktuan zjarre në disa lagje, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore u angazhuan për të ndalur objektivat e ardhshme.

“Skuadrat tona të mbrojtjes ajrore po bëjnë gjithçka që është e mundur. Por ne duhet të mbrojmë njëri-tjetrin – qëndroni të sigurt”, shkroi Tkachenko në Telegram, duke u bërë thirrje qytetarëve të kërkojnë strehim.

Dëme materiale janë raportuar në disa lagje të Kievit, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë në terren për të përballuar pasojat.

Në lagjen Solomyanskyi, një zjarr shpërtheu në katin e 11-të të një ndërtese banimi 16-katëshe, ku u evakuuan tre persona nga apartamenti i prekur. Një tjetër zjarr u shënua në një depo metalesh.

Tymchenko bëri të ditur se si pasojë e sulmit, shinat e metrosë midis dy stacioneve në Kiev u dëmtuan, por fatmirësisht nuk pati zjarr apo të lënduar.

Ndërkohë, në rajonin verior të Chernihivit, një dron Shahed shpërtheu pranë një pallati banimi, duke thyer dritaret dhe dyert, sipas shefit të administratës ushtarake rajonale, Dmytro Bryzhynskyi. Ai shtoi se shpërthime nga raketa balistike u regjistruan gjithashtu në periferi të qytetit./AP